Fundjava e fundit e gushtit duket se ka zbrazur Kosovën. Me mijëra automjete e qytetarë janë nisur që në orët e para të mëngjesit drejt bregdetit, duke sjellë ngarkesë të trafikut në “Rrugën e Kombit”.
Kolona e automjeteve mësohet se i ka kaluar 6 kilometra këtë mëngjes në dy korsi, sipas shtypit në Prishtinë. Të dhënat zyrtare të policisë kufitare për këto 24 orë, flasin për më shumë se 36 mijë qytetarë të Kosovës që kanë hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës me të paktën 10 mijë e 200 automjete.
Siç dihet përgjatë sezonit, policia kufitare operon me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle, siç është marrëveshja e përbashkët mes qeverive. Tendenca në rritje e turistëve italianë që do të vizitonin këtë vit Shqipërinë është reflektuar që në muajt e parë të 2023-shit.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Turizmit e Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-qershor numri i vizitorëve italianë është rritur me 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. E megjithatë, shtetasit italianë mbeten në vend të dytë. Sepse janë shqiptarët e Kosovës ata që kryesojnë listën me mbi 1.38 milionë vizitorë, ose 43 përqind më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, kur shifrat flisin për afro 970 mijë turistë nga Kosova.
Shtete të rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi renditen në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa ulje e shifrave është vënë re tek pushuesit nga Serbia. Për 6 muajt e parë të 2023-shit afro 32 mijë e 500 turistë nga Serbia kanë vizituar Shqipërinë, 18% më pak se në 2022-shin, kur shifrat flisnin për afro 40 mijë vizitorë.