Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është emëruar si emisar i preisdnetit të SHBA’së, Donald Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë një emërim i tillë ka ngjallur habi tek shumë ekspertë e ish-diplomatë, pasi që pak ditë më parë, Sekretari Amerikan, Mike Pompeo, ka emëruar Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për bisedimet Prishtinë Beograd.
Megjithatë një diplomat i ka thënë gazetës serbe “Danas”, se Trump ka emëruar Richard Grenell në postin e të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi duke qenë se ka besim shumë të madh në të, derisa Palmerin nuk e konsideron si njeri të afërt edhe përkundër faktit që është një njohës i jashtëzakonshëm i situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“ Palmer është njohës i jashtëzakonshëm i situatës në rajon, përfshirë edhe Kosovën. Por ai nuk është pjesë e rrethit të ngushtë të Donald Trump, dhe konsiderohet një politikan i një epoke të kaluar. Prandaj Grenell do të trajtojë vetëm çështjen e Kosovës, ndërsa Palmer do të përqendrohet edhe në çështjet me të cilat ballafaqohet Ballkani në tërësi, siç është përmirësimi i sigurisë dhe zvogëlimit të ndikimit rus”, ka thënë ky diplomat për ‘Danas’, transmeton Gazeta Express.
Sipas këtij diplomati, Trump me emërimin e Grenell, ka dashur që të sigurohet 100 për qind se interesi i Shtëpisë së Bardhë do të respektohet në vazhdimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Ndërkohë nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se “Palmer dhe Grenell do të punojnë ngusht për të arritur marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Lidhur me emërimin e Richard Grenell ka pasur edhe reagime nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka zhvilluar një bisedë telefonike me Grenell.
Ka reaguar edhe Aleksander Vuçiq, i cili gjithashtu ka zhvilluar një bisedë telefonike me të emisarin e Trumpit.
Vuçiq ka thënë se është ndjerë i suprizuar pas këtij emërimi, megjithatë ka thënë se mbetet të shihet se çfarë do të ndodh në ditët në vazhdim.
Megjithatë profesori i Universitetit të Grazit që është njohës i rajonit të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, e ka cilësuar si një lajm të keq emërimin e Richard Grenell. I habitur është ndjerë edhe gazetari britanik, Tim Judah, ndërkohë ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, e ka cilësuar si një vendim bizar