Arratisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski vijon të mbetet një temë e nxehtë në Maqedoni, teksa ish lideri i vendit vazhdon të qëndrojë në Hungari, ku qeveria e Vitkor Orban po shqyrton kërkesën e tij për azil politik.
Nga Ministria e Brendshme në Maqedoni kanë dalë detaje të një raporti sekret, ku nënvizohet se nuk ka pasur ndonjë informacion, apo indikacion të fuqishëm se Gruevski po përgatiste arratinë, por kishte dyshime se ai mund të ikte për të kërkuar strehim në Greqi.
“Kemi pasur disa indikacione që Gruevski përmes Dojranit, me ndihmën e disa njerëzve të tij, do të ikte në Greqi. Kishte fjalë se gjoja kishte marrë me qera tre banesa në Selanik, ku në njërën do të qëndronte, e dy të tjerat do t’i shërbenin për të humbur gjurmë”, shkruajnë mediat greke referuar MPB-së së Maqedonisë.
Sipas tyre, për momentin Gruevski gjendet në një hotel në Budapest, por gjasat për ekstradimin e tij nuk janë shterur.