Një variant tejet ngjitës i koronavirusit është përhapur në Afrikën e Jugut. Ky variant konsiderohet se ka pësuar më së shumti mutacione, në krahasim me të gjitha variantet tjera.
Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar udhëtimet për dhe nga gjashtë shtete afrikane. Këto janë ditët e para të identifikimit të këtij varianti, mirëpo ka mundësi që ai të përhapet edhe më shumë.
Menjëherë kanë lindur pyetjet se sa shpejt mund të përhapet ky variant, dhe a mund të ndikojë në sigurinë që ofrojnë vaksinat kundër koronavirusit?
Çfarë dimë deri më tani?
Varianti i quajtur B.1.1.529, ka mundësi që do të marrë emër grek – sikurse variantet Alfa dhe Delta – nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ky variant është thënë se ka pësuar shumë mutacione.
Profesori, Tulio de Oliveira, drejtor në Qendrën për Përgjigje ndaj Epidemisë në Afrikën e Jugut, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se në këtë variant ka shumë shenja të pazakonshme për mutacione dhe se ai është “shumë i ndryshëm” nga variantet tjera që kanë qarkulluar.
“Kjo është ajo që na ka befasuar neve, ka evoluim të madh dhe më shumë mutacione sesa kemi pritur”, ka thënë ai.
Profesori de Oliveira ka thënë se në të ekzistojnë rreth 50 mutacione dhe më shumë se 30 janë në proteinën e virusit, e cila është shënjesër e shumicës së vaksinave dhe konsiderohet çelës përmes së cilit virusi depërton në trupin tonë.
Një nivel i tillë i mutacioneve mund të ketë ardhur nga një pacient i vetëm që nuk ka arritur të mposhtë virusin.
Megjithatë, shumë mutacione nuk nënkuptojnë menjëherë lajm të keq. Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë janë duke bërë këto mutacione.
Shqetësimi kryesor tani është se virusi aktual është shumë më ndryshe nga virusi original, për të cilin është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës.
Kjo nënkupton se vaksinat, që janë krijuar për të luftuar versionin orgjinal, mund të mos jenë edhe aq efektive.
Disa prej mutacioneve janë parë edhe në variantet tjera, çka mund të ofrojë pak informacione për rolin e këtij varianti.
Profesori, Richard Lessells nga Universiteti KwaZulu-Natal në Afrikën e Jugu, ka thënë se ka shqetësime se ky virus mund të ketë përhapje më të madhe dhe aftësi për t’u përhapur nga personi në person, por edhe të mund të arrijë në disa pjesë të sistemit tonë imunitar.
Deri më tani ka pasur shumë shembuj të varianteve që janë dukur shqetësues në fillim, mirëpo më vonë nuk kanë rezultuar të tillë.
Varianti Beta i koronavirusit është parë me shumë shqetësim në fillim, mirëpo më vonë varianti Delta është përhapur në gjithë botën.
Deri më tani janë konfirmuar 77 raste me variantin e ri në provincën Gauteng në Afrikën e Jugut, katër raste në Bostvana dhe një në Hong Kong, i cili ka mundësi të jetë i lidhur me udhëtim nga Afrika e Jugut.