Aktgjykimi për ish-kryeprokuroren speciale Katica Janeva dhe shoumenin Bojan Jovanovski – Boki 13, dërgon mesazh të rëndësishëm se korrupsioni nuk do të tolerohet, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit amerikan për Zërin e Amerikës.
“Ky rast lë të kuptohet qartë se keqpërdorimi i detyrës zyrtare për interesa personale do të ndëshkohet në mënyrën e duhur” tha zëdhënësi, duke shtuar se nga afër e ndjekin këtë rast.
Po ashtu shtoi se “menaxhimi i gjyqësorit në mënyrë të drejtë dhe jopartiake është gjë thelbësore për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”.
Dje, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi dënim prej 7 vitesh burg për ish-kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale Katica Janeva nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit, ndërkaq Bokit 13 iu shqiptua dënim me 9 vite burg për ndikim të jashtligjshëm, pranim shpërblimi dhe larje parash në lëndën e quajtur “Reket”./VoA-Mkd