Zëdhënësja e udhëheqësit opozitar rus Alexey Navalny konfirmoi se kanë marrë njoftim zyrtar për vdekjen e tij dhe kërkoi që trupi t’i dorëzohej familjes. Shtetet e Bashkuara fajësojnë Moskën për vdekjen e udhëheqësit opozitar në një burg të largët në Arktik.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, zoti Navalny po vuante një dënim të zgjatur në burg, që është parë gjerësisht si një ndëshkim për kritikat e tij prej vitesh ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Alexei Navalny u shfaq për herë të fundit me një lidhje me video gjatë një seance gjyqësore të enjten më 15 shkurt, përpara se të njoftohej të premten vdekja e tij në një burg të sigurisë së lartë në Rrethin Arktik.
“Ajo që i ndodhi Navalny-it është një tjetër dëshmi e brutalitetit të Putinit. Askush nuk duhet të ketë iluzione, as në Rusi, as gjetiu nëpër botë. Putini nuk sulmon vetëm shtetasit në vende të tjera, siç kemi parë që po ndodh tani në Ukrainë. Ai bën krime të tmerrshme edhe ndaj vetë popullit të tij”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Kremlini shpërndau një video të shtunën të presidentit rus Vladimir Putin, ku ai përgëzon kompaninë ruse të gazit Gazprom në 31-vjetorin e krijimit të saj, por nuk përmend aspak vdekjen e opozitarit rus, mbi 24 orë pasi ishte bërë njoftimi.
Zëdhënësja e zotit Navalny, Kira Yarmysh deklaroi se ai është vrarë dhe kërkoi dorëzimin e trupit të tij familjes.
“Alexei Navalny është vrarë. Vdekja e tij ndodhi më 16 shkurt, në 2:17 të pasdites, siç shkruhet në njoftimin dërguar nënës së Alexey-it. Avokati dhe nëna e tij morën avionin për në Salekhard për të marrë ndonjë konfirmim për vdekjen e tij… Jemi në pritje të raportit zyrtar për vdekjen dhe kërkojmë që trupi i Alexey Navalny-it t’i dorëzohet menjëherë familjes”, tha zonja Yarmysh në një mesazh në YouTube.
Mbi 100 persona mësohet se u arrestuan të premten në disa qytete të Rusisë, të cilët kishin dalë për të vendosur lule në kujtim të të ndjerit Navalny tek monumentet e ngritura për viktimat e epokës sovjetike.
Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, nënpresidentja amerikane Kamala Harris gjithashtu dënoi vdekjen e zotit Navalny.
“Çfarëdo versioni që të na tregojnë, le të jemi të qartë. Rusia mban përgjegjësi”, tha nënpresidentja Harris.
Udhëheqës të tjerë perëndimorë dënuan vdekjen dhe po kështu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
“Qartësisht ai u vra nga Putini. Si mijëra të tjerë që janë torturuar, që janë torturuar për shkak të kësaj krijese. Putini nuk shqetësohet se kush vdes, për sa kohë që ruan pozitën e tij”, tha presidenti Zelenskyy.
Si një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin dhe i korrupsionit brenda qeverisë ruse, 47-vjeçari Navalny po vuante një dënim prej 30 vitesh në burgun ku vdiq.
“Regjimi i tij dhe Vladimir Putini duhet të mbahen personalisht përgjegjës për të gjitha mizoritë që kanë kryer në vendin tim, në vendin tonë Rusinë, gjatë viteve të fundit”, tha bashkëshortja e të ndjerit, Yulia Navalnaya.
Në vitin 2020, zoti Navalny u helmua me një agjent nervor, për të cilin fajësoi presidentin Putin.
Në njoftim për vdekjen e tij të premten, Shërbimi i Burgjeve të Federatës Ruse tha se ai vdiq pasi nuk po ndjehej mirë pas një ecjeje.
“Në përputhje me ligjet në fuqi, Shërbimi Federal i Burgjeve po bënte ekzaminime, qartësime dhe kështu me radhë”, tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Putin.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se e pati paralajmëruar zotin Putin gjatë takimit të tyre në qershor 2021 në Gjenevë, se nëse zoti Navalny do të vdiste, kjo do të sillte pasoja shkatërrimtare për Rusinë.
“Do të bisedojmë me disa vende të tjera të shqetësuara për Alexey Navalny-in, në veçanti nëse njoftimet rezultojnë të vërteta”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Por analistët janë skeptikë se çfarë mund të bëjnë vendet e tjera, përveç dënimit të veprimeve të zotit Putin.
“Nuk mendoj se vendet e tjera në këtë rast, madje edhe një vend jashtëzakonisht i madh dhe i fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, mund të luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në politikën e brendshme të Rusisë”, tha Konstantin Sonin, nga Universiteti i Çikagos.
Gjatë një seance më herët këtë muaj, i ndjeri Navalny u tha punonjësve të burgjeve të votojnë kundër Putinit.
“Thjesht duhet të votoni për një tjetër kandidat. Kam hartuar një listë të personave me të cilët jam në kontakt dhe të kontributeve sociale të tyre. Jua rekomandoj”, tha i ndjeri në lidhjen me video.
Kritikët thonë se Kremlini po përgatitet të orkestrojë një tjetër fitore në zgjedhjet e marsit në Rusi.
Zoti Putin ka qenë vazhdimisht në poste drejtuese, si president apo si kryeministër, që nga viti 1999.