Zekolli Shaqiri tha se Qeveria fokusohet në rrugët pan-evropiane dhe në Komunën e Sarajit do të ndërtohen banesa sociale

Korridori VIII, rruga Tetovë – Prizren, projekti i ndërtesave kolektive të banimit dhe investime tjera kapitale janë në fokusin e Qeverisë gjatë këtij mandati, thotë Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.

Marketing

Ajo tha se po hetohen keqpërdorimet e mundshme në ndërtimin e Korridorit VIII dhe, nëse ka shkelje, organet kompetente do të veprojnë. Megjithatë, për Qeverinë, prioritet është realizimi i projekteve, ndërsa hetimi i keqpërdorimeve është përgjegjësi e drejtësisë.

“Me ardhjen e Qeverisë sonë, punimet në Korridorin VIII kanë filluar me intensitet dhe po zhvillohen në segmente të ndryshme. Puna është përqendruar edhe në shpronësimin e pronave dhe po realizohet me orare të zgjatura për të siguruar progresin maksimal. Si Qeveri, kemi në fokus të veçantë rrugët pan-evropiane dhe jam e bindur se do të arrijmë t’i përfundojmë në kohë, ashtu siç nuk ka ndodhur kurrë më parë me projektet e premtuara infrastrukturore. Të gjitha keqpërdorimet dhe dyshimet mbi veprimet në të kaluarën, të cilat kemi hasur janë adresuar tek organet kompetente. Ne nuk duam të ndërhyjmë në proceset e investigimit që janë në zhvillim, prandaj presim që rastet të shqyrtohen dhe të japin përgjigje nga ana e institucioneve përkatëse”, thotë Zekolli- Shaqiri në intervistën për PressOnline.al.

Ajo thotë se punohet me kapacitete të plota në planin e buxhetit për vitin 2025 dhe siguron se projektet infrastrukturore që janë në interes të veçantë për shqiptarët do të vazhdojnë pa ndaluar.

“Të gjitha punët e filluara nuk do të ndalen, dhe jemi në procesin e shqyrtimit të mundësive dhe nevojave për investime të tjera që janë thelbësore për avancimin e infrastrukturës vendore”, ka thënë zëvendësministrja.

Ajo potencon se për dikasterin e saj, por edhe Qeverinë – mirëqenia e qytetarëve është tejet e rëndësishme.

“Kemi realizuar dhe po planifikojmë hapa të rëndësishëm për të siguruar kushte më të mira për jetesë. Një nga projektet e ardhshme është ndërtimi i banesave sociale në Komunën e Sarajit, ku do të ofrojmë mundësi më të mira për ata që kanë nevojë për strehim”, nënvizoi ajo.

Marketing