Zelensky e quan “absurde” presidencën ruse të Këshillit të Sigurimit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Rusia si lajm “absurd dhe shkatërrues”. Sipas tij, kjo e dëshmon “falimentimin e plotë të institucioneve ndërkombëtare”.

Marketing

Duke folur në orët e vona të së shtunës, 1 prill, Zelensky tha se “ata që janë përgjegjës për terror” nuk duhet të lejohen të kryesojnë organet ndërkombëtare.

“Ushtria ruse vrau një tjetër fëmijë ukrainas – një djalë 5 muajsh nga Avdijivka… Dhe në të njëjtin moment, Rusia kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Zelensky.

Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e quajti marrjen e presidencës nga Rusia “një shuplakë në fytyrë për komunitetin ndërkombëtar”. Ai u kërkoi anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mos e lejojnë Moskën të abuzojë me presidencën e saj.

Këshilltari presidencial në Ukrainë, Mykhaylo Podolyak, tha se kjo ngjarje ishte “një tjetër përdhunim i ligjit ndërkombëtar”.

“Një ent që bën një luftë agresive, shkel normat e ligjit humanitar dhe penal, shkatërron Kartën e OKB-së, neglizhon sigurinë bërthamore, nuk mund ta kryesojë organin kryesor të sigurisë në botë”, tha Podolyak në Twitter.

Rusia mori presidencën njëmujore, e cila ndërrohet në bazë të një rendi, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 prill – për herë të parë që nga shkurti i vitit 2022, kur nisi luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës.

Pushtimi rus i Ukrainës shkeli Kartën e OKB-së, e cila kërkon që shtetet të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti tjetër.

Disa ditë pasi kishte filluar pushtimi i Ukrainës, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një rezolutë duke kërkuar që Rusia t’i jepte fund luftës së saj në Ukrainë. Rusia bllokoi miratimin e një rezolute të ngjashme në Këshillin e Sigurimit.

Presidenca ruse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vjen gjithashtu pas një urdhër-arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë si përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën një krim lufte.