Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka përmendur sot vdekjen e Alexei Navalny në fjalën e tij në Konferencën e Sigurisë në Munih, duke thënë se ajo është “një tjetër prove se sa i pamëshirshëm është Vladimir Putin”.
Duke folur në sallën e mbushur të konferencës Zelensky përsëriti thirrjet për ndihmë ushtarake ndaj Perëndimit për t’i rezistuar agresionit rus dhe presidentit Vladimir Putin.
“Putin vret kë të dojë,” tha Zelensky duke iu referuar vdekjes së liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.
Por ai shtonte se veprimet e Putin sinjalizojnë dobësinë e Rusisë pasi sipas tij, “për herë të parë Putin është përulur ndaj Iranit e Koresë së Veriut për ndihmë”.
“Nëse Ukraina mbetet vetëm Rusia do të na shkatërrojë”, tha Zelensky duke shtuar se “lufta në vijim është një kërcënim për të gjithë në Evropë”.
Zelensky foli për shqetësimet e zgjerimit të konfliktit siç kanë përmendur shpesh ekspertët evropianë të sigurisë muajt e fundit.
“Nëse nuk e merrni seriozisht kërcënimin rus, ndoshta Evropa duhet të përdorë nenin 5 të traktatit të NATO-s”, tha Zelensky teksa përpiqej të zgjonte aleatët e lodhur nga lufta për t’i bindur të shtonin ndihmën financiare e ushtarake për vendin e tij.
Zelensky shtoi se përpjekjet e Ukrainës për të sprapsur trupat ruse po dështojnë prej mungesës së armëve të rangut të gjatë dhe të predhave të artilerisë.
Ndërkohë përfaqësues të të ndjerit Alexei Navalny thanë sot se autoritetet ruse po fshehin qëllimisht trupin e tij për të mbuluar gjurmët e asaj që ata quanin “akt vrasje”.
Zyrtarët rusë thanë se 47 vjeçari Navalni ka vdekur papritur kur humbi ndjenjat të premten pas një ecjeje në burgun e Kharp në zonat arktike, rreth 1,200 milje në verilindje të Moskës.