Zelensky në SHBA për takimin e rëndësishëm me Trump

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shkuar në Uashington për një takim të rëndësishëm me presidentin Donald Trump, takim që do të përqendrohet në marrëveshjen-kornizë për qasjen në mineralet e rralla të Ukrainës si një hap drejt përfundimit të luftës me Rusinë.

Marketing

Takimi i rëndësishëm në kryeqytetin amerikan më 28 shkurt zhvillohet më pak se dhjetë ditë pasi Trumpi e quajti Zelenskyn diktator, si pjesë e një lufte fjalësh nga e cila janë tërhequr të dy udhëheqësit, teksa po përgatiten të takohen kokë më kokë.

Zelensky po synon që të forcojë mbështetjen e SHBA-së që i duhet për të zmbrapsur pushtimin e shtetit të tij të nisur nga Rusia, në kohën kur Trump, që mori mandatin muajin e kaluar, ka ndryshuar politikën e Shtëpisë së Bardhë duke i dhënë fund izolimit mbi trevjeçar që u nxit nga agresioni i paprovokuar i Kremlinit.

Trumpi e ka kritikuar Zelenskyn lidhur me menaxhimin e luftës dhe lufta me fjalë kulmoi më 19 shkurt, kur ai, përmes një postimi në rrjetet sociale, e quajti Zelenskyn “diktator” që po rrezikon ta humbë shtetin e tij.

Megjithatë, Trump duket se i minimizojë këto deklarata dhe gjatë konferencës të përbashkët për media me kryeministrin britanik, Keir Starmer, më 27 shkurt tha: “A e thashë unë këtë? Nuk mund ta besoj që e kam thënë”.