Kremlini ka reaguar në lidhje me një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve, mes Moskës dhe Kievit.
Zëvendës ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov e ka quajtur një hap të tillë të parakohshëm, pasi shtoi se kjo mund të ndodhë vetëm pasi ushtarët ukrainas të dorëzuar të dalin në gjyq e të dënohen.
“Para kësaj, të gjitha bisedat për një shkëmbim janë të parakohshme”, tha ai.
Kjo vjen pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha të hënën vonë se Kievi ishte gati për një shkëmbim të të burgosurve dhe u kërkoi aleatëve ndërkombëtarë të bëjnë presion ndaj Moskës.
Ndërkohë, mbetet i paqartë fati i qindra ushtarëve ukrainas të cilët janë dorëzuar pas rezistencës heroike të bërë në uzinën e çelikut Azovstal në Mariupol.
Pas dorëzimit ata janë dërguar në zonat e kontrolluara nga Rusia javën e kaluar dhe për shumicën prej tyre nuk ka informacione.