Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj gjithë bankave ruse dhe të bojktojnë naftën ruse. Duke iu drejtuar parlamentit të Lituanisë, zoti Zelenskyy tha se nëse vendet evropiane vazhdojnë tregëtinë me Rusinë, atëhere udhëheqësit rusë “e dinë që nuk do të ndëshkohen”.
Bashkimi Evropan ka vënë një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, por nuk ka prerë importet e naftës e gazit, siç kërkon zoti Zelensky. Disa udhëheqës evropianë janë të shqetësuar mbi ndikimin në ekonomitë e vendeve të tyre nga një vendim i tillë, për shkak të vartësisë nga burimet energjitike ruse.
Ukraina tha sot se forcat ruse po përpiqen të marrin nën kontroll qytetin e rrethuar të Mariupolit, ndërsa po përgatiten për të zgjeruar operacionet në rajonin lindor të Donetskut.
Presidenti Rus Vladimir Putin, paralajmëroi të martën perëndimin se përpjekjet për të izoluar Rusinë nuk do të kenë sukses, duke përmendur si provë programin sovjetik të hapësirës gjatë luftës së ftohtë. Këto komente ai i bëri gjatë një vizite në kozmodromin Vostoçni në Lindjen e Largme ruse, vizita e tij e parë jashtë Moskës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Ai përsëriti akuzat e mëparshme se “lufta në Ukrainë është e domosdoshme pasi Shtetet e Bashkuara po përdornin Ukrainën për të kërcënuar Rusinë, përmes edhe aleancës së NATO-s, dhe se Moska duhet të mbronte banorët rusisht-folës në Ukrainë nga persekutimi”.