Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se forcat ukrainase dhe ato ruse po luftojnë për çdo metër tokë në qytetin lindor Sievierodonetsk. Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë për ndihmë, duke thënë se Ukraina “ka nevojë për sisteme moderne raketash mbrojtëse”.
Në mesazhin e tij të fundit me video, Presidenti Zelenskyy tha se “objektivi kryesor taktik” i Rusisë nuk ka ndryshuar, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë në Lysychansk, Bakhmut, Slovyansk, në perëndim dhe jugperëndim të qytetit Sievierodonetsk.
“Ushtria ruse po përpiqet të dislokojë forca rezerviste në Donbas. Por, çfarë rezervistësh mund të kenë ata tashmë? Duket se do të hedhin në betejë rekrutë me përgatitje të dobët dhe të tjerë që janë mobilizuar fshehurazi. Gjeneralët rusë i shohin njerëzit e tyre thjesht si mish për top, që iu duhen vetëm për të arritur avantazhin në numra, në njerëz dhe në paisje ushtarake”, tha Presidenti Zelenskyy.
Ndërsa është e vështirë të konfirmohen humbjet nga të dyja palët, Presidenti Zelenskyy tha se të vrarët në radhët e rusëve mund të arrijnë në mbi 40 mijë këtë muaj.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha të hënën se gjatë ditëve të fundit është zhvilluar betejë e fortë përreth Sievierodonetskut.
Ministria tha se kapacitetet e Rusisë për të kryer operacione përgjatë lumenjve do të jenë ndoshta faktori përcaktues për luftën gjatë muajve në vazhdim.
Forcat ruse bombarduan të dielën një uzinë kimikatesh në Sievierodonetsk, ku strehoheshin qindra ushtarë dhe civilë. Por guvernatori i rajonit Luhansk tha se uzina vazhdon të jetë nën kontrollin ukrainas./ VOA