Zendeli tërhiqet nga garat e Formula 2! Ja arsyet

Piloti shqiptar nga Bojana e Shkupit Lirim Zendeli, ka njoftuar se më s’do të vazhdojë garën e tij në Formula 2 për shkaqe financiare.

Marketing

Në një njoftim në rrjete sociale, ai ka fajësuar pandeminë për reduktim të buxhetit.

Garuesi i MP Motorsport ka falënderuar ata që e kanë mbështetur deri tash, teksa ka shtuar se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje për t’u kthyer sa më shpejt që mundet në garat e shpejtësisë.

22-vjeçari bëri emër në dhjetor të 2020-s kur u njoftua se atij i mundësohet garimi më 2021 në Formula 2.

Në vitin 2018 ai u shpall kampion në Formula 4, ndërsa në Formula 3 përfundoi i teti në kampionat me 104 pikë, ndërsa me skuadrën e tij doli i dyti në garat ekipore.

“Të dashur ndjekës, fansa, miq. Fatkeqësisht kam lajme të këqija. Jam duke u tërhequr. Nuk do të jem në gjendje të vazhdoj garën në F2 për shkak të çështjeve financiare. Pandemia ka reduktuar edhe më tej buxhetin tim tashmë të ngushtë. Dua të falënderoj sponsorët e mi nga Gjermania që kanë qenë gjithmonë besues dhe s’janë arsye e largimit tash”, ka shkruar ai në rrjetet sociale “Largimi përkohësisht është shumë i vështirë, por do të jap gjithçka nga vetja për të gjetur një zgjidhje për t’u kthyer në garë sa më shpejt që është e mundshme”.