Zënkë midis Kamenosit dhe Koxiasit gjatë seancës së Qeverisë greke

Mospajtimet midis ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Punëve të Jashtme të Greqisë, Panos Kamenos dhe Nikos Koxias, gjatë seancës së sotme qeveritare janë shndërruar në zënkë, pohojnë mediat greke.

Marketing

Shkak për mospajtimet kanë qenë deklaratat e Kamenosit në SHBA për të cilat ka reaguar Koxiasi.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, sipas një pjese të mediave greke, në takimin ministror, që u mbajt me dyer të mbyllura, shefi i diplomacisë greke i ka dërguar kritika Kamenosit se me deklaratat e tij e shkel marrëveshjen midis partnerëve të koalicionit në Qeverinë greke dhe e minon pozicionin kombëtar në çështjen për emrin, duke theksuar se udhëheqja e politikës së tij të jashtme nuk është nën kompetencë të tij.

Kamenos, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, e ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me çështjen për emrin, por ka theksuar se nuk do të kyçet në tentimin e Demokracisë së Re për rrëzimin e Qeverisë, ndërsa me qëndrime të tij kanë qenë edhe ministrat e tjerë nga radhët e partisë së tij Grekët e Pavarur.

Burime nga partia për ANA-MPA, kanë thënë se Grekët e Pavarur “në asnjë rast nuk do të identifikohen me Demokracinë e Re dhe planet e tyre për rrëzimin e Qeverisë”, por dhe se nuk ndryshohet pozicioni i partisë për Marrëveshjen e Prespës.
Ministrja e Turizmit Elena Kundura, e cila vjen nga radhët e Grekëve të Pavarur, në Tuiter ka publikuar se në seancë qeveritare ka deklaruar se e mbështet Qeverinë ta përfundojë veprën e saj dhe se gjithmonë voton sipas vetëdijes së saj.

Siç paraprakisht publikoi MIA, kryeministri grek Aleksis Cipras në seancën e sotme qeveritare ka kërkuar nga ministrat që të angazhohen se nuk do ta mbështesin nismën eventuale të Demokracisë së Re për votim të mosbesimit të Qeverisë dhe se nuk do ta rrëzojnë Kabinetin e tij për shkak të çështjes së emrit.