Zeqiri fton ekipet e Superligës të ofrojnë fakte: Mos e prishni imazhin tonë të futbollit

15:48 | 7 Maj 2021

Marketing

Analisti i njohur i futbollit të Kosovës, Arben Zeqiri, ka komentuar zhvillimet e fundit se organi më i lartë i futbollit, UEFA, po heton skuadrat nga Superliga e Kosovës për kurdisje të ndeshjeve.

Zeqiri ka thënë se në qoftë se gjejnë fakte rreth këtyre kurdisjeve atëherë do të ishte fatale për shtetin tonë në përgjithësi, transmeton lajmi.net.

“Ne jemi pranuar në UEFA e FIFA vetëm para 5 viteve dhe në qoftë se gjendet diçka e tillë atëherë do të prishte imazhin tonë të futbollit”, ka thënë ai.

Ai ka ftuar të gjithë ata që po flasin për parregullsitë e kurdisjet që të ofrojnë fakte e të mos flasin pa u bazuar diku.

“Vetëm kush ofron fakte për të tilla gjëra do të jenë të bazuara deklaratat e tyre dhe opinionet në lidhje me ketë dukuri e fenomene të shumëpërfolura në futbollin ballkanas në tërësi”, ka thënë Zeqiri për lajmi.net.

Zeqiri beson se klubet nuk duhet të akuzojnë pa bazë, e kësisoj të mundohen t’i arsyetojnë mossukseset e tyre në dërgimin e ankesave në institucionet më të larta shtetërore.

“Ata që kanë fakte duhet të drejtohen tek Prokuroria dhe se këto gjëra të rregullohen brenda vendit tonë. Nuk është mirë që të merremi me deklarata të tilla që krijojnë ndikim të tillë jashtë vendit, sepse e dëmtojnë në mënyrë të drejtpërdrejt futbollin tonë. Këto gjëra më së shumti përshtati i shkojnë armikut tonë të përbetuar, i cili bën “dasmë” kur sheh gjëra të tilla që na ndodhin“, u shpreh në fund Zeqiri.

Së fundmi është raportuar nga mediat e Kosovës se UEFA po heton disa klube të Superligës për kurdisje dhe trukime të ndeshjeve në Superligë./Lajmi.net/