Zëri i Amerikës: Prishet restoranti i Mihal Kokëdhimës

Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit prishi të mërkurën një Bar-Restorant në zonën turistike në Porto-Palermo në Vlorë pas incidentit të pronarit me një grup turistësh të huaj.

Marketing

Inspektoriati i Ndërtimit tha se objekti ishte pa leje ndërkohë që autoritetet e Kadastrës Shtetërore konfirmuan se ndërtimi ishte skualifikuar pak ditë më parë nga procesi i legalizimit. Prishja e objektit pas incidentit me turistët ka ngjallur pikëpyetje për mosveprimin më parë të autoriteteve shtetërore ndaj këtij ndërtimi të paligjshëm.

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi mëngjesin e së mërkurës prishjen e Bar-Restorantit “Panorma” në zonën turistike në Porto-Palermo, në Vlorë. Permes një deklarate zyrtare Inspektoriati tha se “rreth 2 mijë metër katrorë, ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që sipërmarrja shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit”.

Prishja e objektit vjen pak ditë pasi pronari i objektit u konfrontua dhunshëm me një grup turistësh spanjollë dhe shoqëruesit shqiptarë të tyre. Pamjet e një videoje të incidentit ngjallën reagime të forta në opinionin shqiptar dhe më gjerë.

Mihal Kokëdhima, i cili tani ndodhet në gjendje paraburgimi në Policinë e Vlorës akuzohet për “kanosje”, “dëmtime të tjera” dhe “shkatërrim të pronës” gjatë incidentit me 5 turistë spanjollë dhe 2 shoqëruesit shqiptarë pas një debati mbi cilësinë e shërbimit në restorantin e tij.

Kokëdhima i mohoi akuzat para gjykastës gjatë procesit të masës së sigurimit. Ndërkohë ndërhyrja e sotme e Inspektoriatit Kombëtar për prishjen e objektit ngjalli pikëpyetje në opinionin publik shqiptar se përse ndërtimi që rezultonte pa leje prej disa vitesh nuk ishte prishur më parë.

Drejtuesit e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës i thanë Zërit të Amerikës se në vitin 2015 ishte bërë një vetëdeklarim nga sipërmarrësi për të përfituar nga procesi i legalizimit. Sipas tyre fundjavën e shkuar

Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit i kërkoi Agjensisë skualifikimin nga ky proces për këtë objekt për shkak të ndërtimit të tij buzë detit dhe buzë rrugës kombëtare.

“Vendimi për skualifikim u mor fillimin e kësaj jave, i tha përmes telefonit Zërit të Amerikës Drejtori Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame. Por vetë Inspektoriati ende nuk ka sqaruar se përse prishja e objektit nuk ishte realizuar më parë dhe kush ishin autoritetet përgjegjëse për këtë. Doktor Arben Malaj i Institutit per Politika Publike dhe Miqeverisje duke komentuar zhvillimet e së mërkurës në Porto Palermo tha se ndërhyrjen e vlerësonte joligjore.

“Unë mendoj se ngjarja është joligjore, krijon ndjenjën e frikës tek qytetarët, ka efekte të kundërta me atë që synon të arrihet, të funksionojë shteti ligjor. E dua dhe e mbështes shtetin ligjor, por ai ka hapat e tij të rëndësishme. Shkatërrimi i një pasurie qoftë në proces legalizimi duhet të vinte pas një vendimi gjykate. Është rritur shqetësimi që qeverisja në mënyrë arbitrare po i shton kostot ndaj taksapaguesve shqiptarë, është rasti me televizionin, me Beketin, është rasti i disa prishjeve të sforcuara të qeverisë”.

Zoti Malaj tha më tej se lufta kundër informalitetit në Shqipëri kërkonte një qasje të re, ndryshe nga qasja aktuale.

“Mënyra se si ne duam ta strukturojmë pozitivisht ekonominë dhe shoqërinë tonë nuk është ajo bazuar tek penalitetet dhe tek dhuna. Shqiptarët jo vetëm gjeografikisht janë europianë, në qoftë se ata shikojnë se qeverisja bëhet gjithnjë dhe më e mirë, në qoftë se ata shikojnë se në jetën e përditshme funksionet dhe shërbimet publike përmirësohen ,vetëndërgjegjësimi i tyre rritet, ndërsa nëse vazhdojmë me këtë lloj strategjie ,tek penalitete, tek arroganca, tek veprimet spontane, njerëzit do të ndihen gjithnjë e më të frikësuar. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se qyetarët gjenden përballë dy mundësive ose të nënshtrohen dhe të duartrokasin të fuqishmit që qeverisin në cdo kohë, ose ta braktisin evndin. Kjo e dyta është bërë më masive, më shqetësuese dhe Shqipëria gjithnjë e më tepër po varfërohet.”

Zona bregdetare e Shqipërisë prej vitesh paraqet problematika komplekse nga mosveprimi i autoriteteve shtetërore sidomos ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe pushtimit të paligjshëm të plazheve publike. Këto problematika dalin më në pah vecanërisht gjatë sezonit turistik kur ne bregdet mbërrijnë mijëra turistë nga brenda dhe jashtë vendit.