Zëvendëskryeministri Arben Fetai panelist në Forumin Think Tank Tirana  

Zëvendëskryeministri Arben Fetai mori pjesë si panelist në Forumin Think Tank Tirana 2024, i mbajtur më 14 nëntor në kryeqytetin shqiptar.
Në fjalën e tij, Fetai vuri në pah sfidat me të cilat u përball Qeveria e re, përfshirë kaosin
institucional të trashëguar, ku ekzistonte një mori dokumentesh strategjike, por me zbatim të dobët. Ai theksoi se, bazuar në Agjendën Reformuese, janë përcaktuar tri prioritete kryesore: lufta kundër krimit dhe korrupsionit, rritja e transparencës së institucioneve dhe rikthimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile.
Fetai njoftoi se Qeveria është duke përgatitur kornizë të re ligjore për të krijuar kushte më të mira në luftën kundër korrupsionit. Ai përmendi edhe masa konkrete për rritjen e
transparencës, si miratimi i ligjit që mundëson qasje të lirë të gazetarëve në të dhënat e
Regjistrit Qendror dhe standardizimi i faqeve zyrtare të të gjitha ministrive.
Fetai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile, duke nënvizuar se
Qeveria ka vendosur kontakte të rregullta me organizatat civile, përfshirë edhe takime të
drejtpërdrejta me Kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit. Ai shtoi se Trupi Ndërinstitucional për Luftën Kundër Korrupsionit tashmë do të përfshijë një anëtar aktiv nga sektori i shoqërisë civile, me të drejtë vote.
Në nëntor, Qeveria do të publikojë shpalljen për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit për Bashkëpunim me Sektorin Civil, duke e rikthyer këtë forum si një urë të rëndësishme mes qeverisë dhe shoqërisë civile.
Fetai përfundoi duke theksuar se partneriteti me shoqërinë civile është faktor kyç për ndërtimin e një qeverisjeje të mirë dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve.

Marketing
Marketing