Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti priti një delegacion nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Maqedoninë e Veriut, të udhëhequr nga Drejtori Rajonal për Ballkanin Perëndimor, Nikolas Markier, i shoqëruar nga përgjegjësi i IFC-së për Maqedoninë dhe Kosovën, Visar Perani, përgjegjësja për investime në sektorin e energjisë për Ballkanin Perëndimore Milica Sredanoviç dhe Vadim Sherbakov, përgjegjës i Investimeve në Sektorin e Energjisë për Maqedoninë e Veriut.
Në takimin e punës, IFC prezantoi modelin për mbështetjen e sektorit privat përmes partneritetit publiko-privat, si dhe bashkëpunimin potencial afatgjatë dhe mundësitë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në zbatimin e agjendës së gjelbër si një nga prioritetet më të larta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ministri Mexhiti i njoftoi përfaqësuesit e IFC-së për prioritetet e Qeverisë dhe aktivitetet e ndërmarra në këtë drejtim, duke vënë në pah ndotjen e ajrit dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit në zonat urbane si prioritet kyç.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, tha Mexhiti, po fokusohet në identifikimin e shkaqeve të ndotjes, jo të pasojave. Mexhiti informoi për mbështetjen e deritanishme të BE-së dhe Bankës Botërore në këtë fushë, por theksoi se ka hapësirë për realizimin e një partneriteti publiko-privat në një fazë të mëvonshme.
Duke marrë parasysh se shkaktarët kryesorë të ndotjes janë ngrohja e amvisërive dhe ndotja nga trafiku, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po bën përpjekje të mëdha për realizimin e projektit të gazifikimit, si një nga zgjidhjet kryesore, i cili synon që qytetarët të përdorin metoda ngrohëse miqësore me mjedisin, të cilat do të kontribuojnë në uljen e ndotjes për 50-70 për qind, tha Mexhiti.