Zëvendëskryeministri Osmani nesër për vizitë në Tiranë

Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për çështje Evropiane dhe negociator kryesor, shef i delegacionit shtetëror për negociata me BE-në, Bujar Osmani, së bashku me zëvendësin e tij dhe negociatorin kryesor teknik, Bojan Mariçiq, nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Tiranë në kuadër të së cilës, së bashku me ministrat dhe zëvendëskryeministrat për integrime evropiane të vendeve nga rajoni do të marrin pjesë në Konferencën e tretë për reformat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WBAR).

Marketing

Në kuadër të konferencës, siç njofton Sekretariati për Çështje Evropiane, pritet që të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët ku ndër të tjera do të riafirmohen përpjekjet për progresin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, nxitjen e bashkëpunimit rajonal si dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të konferencës zëvendëskryeministri Osmani, do të adresohet në panel, që është i dedikuar për komunikimin e BE-së në opinion, ndërsa gjatë vizitës së tij në Tiranë pritet që të realizojë më shumë takime bilaterale.

Konferenca e nesërme mbi Reformat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WBAR) në Tiranë është e mbështetur nga Presidenca austriake e Këshillit të BE-së dhe është e treta me radhë, e paraprirë nga e para e mbajtur në Shkup në vitin 2015 dhe e dyta në Podgoricë në vitin 2017.