Zgedhjet/ Koalicioni ASH-AA takime në Kumanovë e Studeniçan

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa, vijoi fushatën zgjedhore në Kumanovë dhe rrethinë.

Marketing

Kryetari i ASH-së dhe njëherit bartësi i listës për deputet në njësinë zgjedhore numër 6, Ziadin Sela, theksoi se shteti ka qenë i njëanshëm deri tani, prandaj edhe është koha të krijojmë një shtet për të gjithë, ku gjithsecili do të ndjehet i barabartë me tjetrin.

Sipas Selës, dita e votimit është dita ku qytetarët kanë pushtetin në dorë për ta bërë ndryshimin e shumëpritur. Mes tjerash, theksoi se elementi shtesë që i detyron qytetarët shqiptarë për të kërkuar zgjidhjen në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së është varfëria. Tha se lista e deputetëve është e përbërë nga njerëz me vlera dhe dinjitet.

“Ju e keni ndarë mendjen të na bëni krenarë dhe duke nisur nga Bujarja, Safija e Elmia dhe natyrisht Afrimi do t’i bëni të gjithë deputetë, përfaqësues tuaj, të shqiptarëve dhe jo të partive politike, dhe të jeni të sigurt se nuk do t’u zhgënjejmë, sot e deri më 15 korrik duart lart, mirupafshim Ali.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.

Bartësi i njësisë zgjedhore numër 2, Afrim Gashi, theksoi se qëllimi i tyre gjatë qeverisjes 4 vjeçare do të jetë shteti i së drejtës.

Sipas Gashit, sistemi juridik në këtë vend është ngërçi më i madh me të cilin ballafaqohen shqiptarët. Gashi u zotua se do të kërkojnë që në qeverisjen e re të ketë “Pribe 3”. Maqedonia e Veriut, sipas Gashit, duhet të bëhet shtet i barabartë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Një porosi e kemi, ne që shumica jemi edhe këtu edhe në partitë tona, të gjithë shqiptarët që do na përkrahin, janë njerëz që i përkasin notës 5, pra kanë qenë në shkollë të shkëlqyeshëm, ata që kanë qenë me dysha e kanë shansin ta votojnë numrin 5.”,- u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Koalicioni AAA–ASH, mbrëmë bëri edhe hapjen e Shtabit Komunal në Studeniçan. Gjatë këtij takimi, ata kishin rastin që të njoftohen për së afërmi me përgatitjet e zgjedhjeve të 15 korrikut të koalicionit AAA – ASH.

“Nuk mund ta ndalim shpërnguljen e shqiptarëve nëse ne nuk jemi hisetarë të barabartë në këtë shtet. Nuk mund t’i motivojmë shqiptarët në trojet e tyre nëse nuk e ndjejnë edhe ata këtë shtet të tyre. Deri sot fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi dhe rastin që ne si shqiptarë të ndihemi hisetarë të këtij shteti me programin tonë zgjedhor dhe me fitoren e bindshme ky program do të jetë funksional edhe pas zgjedhjeve të 15 korrikut dhe nuk do t’i ngjasojmë askujt që fsheh programet zgjedhore.”,- tha Skënder Rexhepi – bartës liste në nj. z. 1 nga Koalicioni ASH-AAA.

Banorët kërkuan që në plan-programin e tyre të vendoset edhe zgjidhja e problemit me deponinë “Drislla”, e cila është ndotësi kryesor i ajrit dhe kundërmimit nga plehrat. Përfaqësuesit u zotuan se me fitoren e koalicionit, kjo çështje do të jetë prioritare, duke e zhvendosur deponinë në një vend të pabanueshëm. Para banorëve të kësaj ane përfaqësuesit e koalicionit theksuan se në programin e Koalicionit “Tash është koha” ka zgjidhje edhe rreth dukurisë së lojërave të fatit. Me fitoren e Aleancës dhe Alternativës këto objekte do të zhvendosen në hotele me 5 yje, të cilat garantojnë se ato nuk do të jenë afër vendbanimeve dhe nuk mund të këtë qasje çdokush.