Një ditë pas zgjedhjeve, qendrat analitike partiake analizojnë rezultatet dhe mundësinë e ankesave pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Kreu i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për Alsat thotë se më së shumti ankesa të kenë në njësinë e pestë zgjedhore, edhe atë për Dollnenin, Plasnicën, Manastirin, Rostushën dhe Mavrovën. Taravari shton se deri më tani informacionet kanë treguar në këto vende ankesat mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve.
Edhe kryetari i partisë E majta, Dimitar Apasiev, gjithashtu njoftoi ankesa.
KSHZ-ja thotë se për shkak të bllokimit të faqes së tyre të internetit, ato të dhënat e zgjedhjeve i ngarkojnë me dorë. Artan Grubi nga BDI thotë se shërbimet juridike po punojnë për inspektimin e rezultateve dhe më pas do të dalin me informacion konkret nëse dhe në cilat vendvotime do të paraqesin ankesa.
Edhe LSDM edhe VMRO paralajmërojnë se do ankohen për rezultatet.
Ndryshe, në zgjedhjet e djeshme nga gjithsej 1.814.264 qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve, kanë votuar 927.640 qytetarë ose 51%. Edhe pas sulmit të hakërreve ndaj sistemit të KSHZ-së, nga ky institucion thonë se numri i fletëvotimeve të pavlefshme është 31.107. sipas evidencës së partive politike, ky numër i fletëvotimeve të pavlefshme pak a shumë përsëritet në çdo zgjedhje. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, ato vota janë të qytetarëve që shkojnë të votojnë dhe e prishin fletëvotimin e tyre për të treguar se nuk e mbështesin asnjë parti.