Votimi i zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut do të zhvillohet tre ditë duke filluar nga 13 korriku.Sipas dekretit të qeverisë më 13 korrik votojnë personat që janë në karantinë shtëpiake për shkak të rezultatave pozitive nga testimi i Covid-19, si dhe personat që janë në vetizolim. Në komunat ku do të votojnë këta persona, varësisht nga numri i tyre, KSHZ do të formojë një ose më shumë këshilla të posaçëm zgjedhorë në përbërje prej tre punëtorëve shëndetësorë të cilët do të realizojnë votimin, ndërkaq partitë politike do të mund të emërojnë anëtarë të tyre në këto këshilla.
Më 14 korrik votojnë personat e pafuqishëm dhe të sëmurët kronik. Votimi më 15 korrik nis në 7 të mëngjesit dhe do të përmbyllet në ora 21, dy orë më vonë nga koha e zakonshme e zgjedhjeve të kaluara kur vendvotimet janë mbyllur në ora 19.