Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, alarmon liderët e partive politike që deri më tre janar të dorëzojnë propozimin e formimit të qeverisë teknike, në të kundërtën do të rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve më 12 prill. Xhaferi në intervistën e dhënë në “Argument” në TVM2 thotë se çdo kërkesë pas tre janarit për shpërbërje të kuvendit dhe mbajtje të zgjedhjeve është e parealizueshme në aspekt procedural të parlamentit.
“Nëse nuk ka qeveri teknike më tre janar, ajo është pengesë procedurale për mua si kryetar i parlamentit që nëse eventualisht në ndërkohë kam kërkesë për shpërbërje të parlamentit, pa këtë parakusht në aspekt procedural atë kërkesë nuk mund ta vë në rend dite, sepse ajo rezulton që brenda 60 ditëve të ketë zgjedhje nëse miratohet, a nuk përmbushet kushti paraprak ligjor 100 ditë para se të ketë qeveri teknike.”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Sigurimi i shumicës parlamentare, Xhaferi: Bashkëpunim me opozitën për Kuvend funksional
Ditë më parë, kryeministri Zaev kushtëzoi mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me miratimin e 120 ligjeve që janë në procedurë parlamentare e të cilat bllokohen nga VMRO-DPMNE. Kryeparlamentari Xhaferi thotë se bashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në ekziston, por që kjo përbërje parlamentare disa herë është ndeshur me mossigurimin e shumicës në vendimmarrje.
“Me komunikimin me opozitën jo rrallë kemi arritur që opozita të na bëjë shumicën e duhur që të mund të ecë puna e parlamentit. Demokracia parlamentare nënkupton komunikim të përhershëm, tolerancë dhe durim të përhershëm, sepse ato janë elementet bazë që mund të bëjë një institucion demokratik funksional.”,- u shpreh kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Xhaferi është optimist se kjo përbërje parlamentare do të miratojë protokollin për anëtarësim të plotë të vendit në NATO, ndërkaq gjatë 2020-s të hapen bisedimet për vazhdimin e procesit integrues në BE. Kryeparlamentari komentoi edhe këshillat e Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Gjuhëve që, sipas tij, nuk janë obligative dhe se u mbetet institucioneve që të zbatojnë ligjin.