Zgjedhjet, kontrolli i listës së zgjedhësve skadon në mesnatë

Në mesnatë skadon afati për këqyrje publike të të dhënave në Listën Zgjedhore. Të gjithë shtetasit e RMV-së numërojnë tashmë orët e fundit për t’i kontrolluar të dhënat e tyre dhe po që se është e nevojshme të kërkojnë ndryshimin, regjistrimin apo fshirjen e të dhënave të tyre nga Lista Zgjedhore, ku do të mund të rregullojnë statusin e tyre juridik për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe  parlamentare të 2024-tës. KShZ-ja u bënë thirrjen e fundit qytetarëve: “Kontrolloni se a jeni në Listën Zgjedhore”. Deri më tani në KShZ kanë arritur rreth 4.900 ankesa të qytetarëve për ndryshimin e të dhënave të tyre. Pas përfundimit të afatit, KShZ-ja do t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe do të bëjë përmirësimin e Listës Zgjedhore.
Nesër në mesnatë skadon afati edhe për dorëzimin e listave të kandidatëve për President. Deri në këto momente vetëm tre kandidatë për President, respektivisht Stevo Pendarovski, Stevçe Jakimovski dhe Maksim Dimitrievski që paraprakisht mblodhën nënshkrimet për të garuar, kanë dorëzuar kandidaturën e tyre pranë KShZ-së, të tjerët këtë gjë do ta bëjnë ditën e fundit. Në ndërkohë për shkak të problemeve teknike në ueb-faqen e KShZ-së gjatë regjistrimit të votuesve në diasporë që ka ndodhur gjatë mbrëmjes së 17 marsit, KShZ-ja ka vazhduar afatin e regjistrimit të mërgimtarëve për të votuar në diasporë deri  nesër në 9 të mëngjesit.
“Për shkak të problemeve teknike me ueb-faqen e KShZ-së www.diaspora.sec.mk vazhdohet regjistrimi i votuesve në diasporë deri më 19 mars 2024 deri në ora 09:00. Për shkak të problemit teknik që ka ndodhur gjatë mbrëmjes së 17 marsit 2024, faqja është rikthyer në funksion mëngjesin e sotëm në orën 9:00. Për këtë arsye, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ka vazhduar afatin e regjistrimit të votuesve në diasporë në kohëzgjatjen e njëjtë të ndërprerjes, pra deri më 19 mars 2024, ora 9:00”, thuhet në komunikatën e KShZ-së.
Deri tani në njësinë e shtatë zgjedhore, respektivisht në diasporë janë paraqitur për të votuar vetëm 1.547 mërgimtarë. Për të zgjedhur deputetin në njësinë e shtatë zgjedhore, respektivisht nga diaspora, duhet të paraqiten së paku 5.355 mërgimtarë votues dhe të sigurohen së paku po aq vota për njërin kandidat për deputet.