Zgjedhjet lokale, Grubi: Të shtunën do të publikojmë kandidatët

Bashkimi Demokratik për Integrim do të prezantojë, të shtunën, 18 kandidatët e saj për kryetarë komunash. Mbledhja e Kryesisë Qendrore të BDI-së do të mbahet në Gostivar. Siç dihet jozyrtarisht, pjesa dërmuese janë kryetarët aktualë që do të kandidojnë për një mandat të dytë, pasi kështu kanë rezultuar anketat e realizuara nga partia përkatëse.

Marketing

“Presim që të gjithë të jenë fitues, shumica në rreth në parë dhe më pak në rreth të dytë. Por gjithsesi të gjithë emrat janë verifikuar në shumë anketa gjatë këtyre muajve dhe kanë përkrahjen e madhe nga të gjithë qytetarët në komunat e tyre, prandaj janë kandidatë, pasi qytetarët janë të kënaqur nga puna e tyre.”,- tha Artan Grubi nga BDI.

Partnerët e koalicionit janë dakorduar edhe për mënyrën e përkrahjes në komunat ku garojnë me kandidatë të veçantë, edhe për përkrahjen ku s’do të kenë kandidat për kryetar komune.

“Ndërtuam një marrëdhënie parimore. Kur kemi kandidat nga LSDM, BDI, BESA dhe PDSH siç është rasti në Tetovë, atëherë është logjike që t’i lëmë qytetarët vetë të vendosin, përfshi edhe anëtarët tanë. Do të votojmë për kandidatin tonë. Atje ku LSDM nuk ka kandidat atëherë anëtarëve dhe simpatizantëve do t’u rekomandojmë të votojnë për atë që është më mirë për ta. Në rrethin e dytë, kur të hyjë një pjesë ose një nga kandidatët e koalicionit përballë kandidatit të opozitës do të votojmë për atë të koalicionit.”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në rastin kur në rrethin e dytë, në garë do të jenë dy kandidatë të koalicionit, votuesit do të udhëzohen që të votojnë për kandidatin që mendojnë se është më i mirë për ta dhe për menaxhimin e Komunës, sqaroi Zaev.

Marketing