Zgjedhjet lokale, nesër në mesnatë skadon afati për parashtrimin e kandidaturave

Partitë politike deri të dielën i kanë anuluar aktivitetet publike lidhur me zgjedhjet lokale 2021, të caktuar për 17 tetor, për shkak të zisë kombëtare për viktimat e zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Megjithatë partitë dhe kandidatët e pavarur, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje duhet t’i respektojnë afatet e parapara nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve.

Marketing

Nesër në mesnatë skadon afati për parashtrimin e kandidaturave për zgjedhjet deri te Komisionet zgjedhore komunale. Deri të mërkurën, 8 shtator, siç kumtoi KSHZ, 13,916 persona janë kontrolluar në Listën zgjedhore. Kanë parashtruar gjithsej 140 kërkesa për regjistrim në Listën zgjedhore, 31 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga Lista zgjedhore dhe 43 kërkesa për ndryshim të të dhënave në Listën zgjedhore. Po ashtu, deri te KSHZ-ja, në e-mail adresën [email protected] janë parashtruar gjithsej 88 kërkesa.

Mbrëmë në mesnatë përfundoi mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore, ndërsa më 14 shtator skadon afati kur KSHZ duhet Listën zgjedhore ta parashtrojë deri te partitë politike, të cilat duhet të parashtrojnë kërkesa eventuale për korrigjimin e saj deri te Komisioni. Deri më 24 shtator, KSHZ duhet ta mbyll listën zgjedhore, ndërsa më së voni deri 1 tetor ta nënshkruajë.

Nesër në mesnatë skadon afati për parashtrimin e kandidaturave për zgjedhjet lokale deri te Komisioni zgjedhor komunale. Pjesa më e madhe e partive paralajmërojnë se kandidaturat deri te KZK do t’i parashtrojnë sot deri nga funti i ditës ose nesër. Ndërkohë, po skadon afati për parashtrimin e kërkesave deri te KSHZ-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Fushata për zgjedhjet lokale zyrtarisht fillon më 27 shtator dhe do të përfundojë më 15 tetor.