Kujdesi shëndetësor, kriza e klimës dhe kostoja e jetesës ishin çështjet kryesore të votuesve në zgjedhjet e fundit në Kanada, ku fitoi partia liberale e kryeministrit Xhastin Trudo. Së fundi edhe Maqedonia ka shpallur datën e zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
Do të ishte mirë që fushata të përqëndrohet në kërkesat e reale të qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë me kushtet e jetesës, të drejtat e tyre në punë, barazia sociale, shërbime më të mira në shëndetësi, arsim dhe sfera tjera. Nevojë imanente duket edhe reformimi i sistemit të jurisprudencës për ti luftuar peshqit e mëdhenjë të cilat kanë zhvatur dhe kapur shtetin.
Shpresojmë që qytetarët të mos përballen sërish me politikanë të cilët shtiren se cili është më patriot se tjetri, e në fakt mendjen e kanë vetëm tek pushteti dhe interesat e tyre personale e klanore. Mbetet të shihet nëse do të ketë një vetëdijsim të qytetarëve për ti votuar programet më të mira, listat më të mira për deputetë, e jo retorikat boshe. (INA)