Të dielën mbahen zgjedhjet presidenciale në Ukrainë. Në fakt, ky është rundi i dytë i tyre, sepse asnjëri nga kandidatët nuk kishte arritur ta fitonte shumicën e votave në rundin e parë. Në balotazh po përballen presidenti aktual, Petro Poroshenko, dhe humoristi pa përvojë në politikë, Volodymyr Zelenskiy.
“Ka 90 për qind gjasa që ai do të jetë një katastrofë, por do të votoj për të”, tha Alonya Sych, një infermiere 36-vjeçare, e cila po ecte rrugës drejt qendrës së votimit në një ditë me diel në kryeqytetin e Ukrainës. “E di 90 për qind se ky burrë është i tmerrshëm, prandaj do të mbështetem në gjasën prej 10 për qind që ne vërtet t’i ndryshojmë gjërat”, tha ajo, duke iu referuar humoristit Zelenskiy.
Përgjatë tri sezoneve të emisionit të famshëm televiziv “Shërbëtori i Popullit”, Volodymyr Zelenskiy e ka luajtur rolin e një mësuesi të zemëruar. Tash ai është favorit për ta fituar garën për president.
Humoristi 41-vjeçar, i cili nuk ka përvojë në politikë, është shembulli më i ri i një fenomeni botëror, ku kandidatët me pak gjasa po i sfidojnë seriozisht veteranët e politikës. Sidoqoftë, ndryshe nga kandidatët tjerë populistë në shtete të ndryshme, Zelenskiy ka arritur në krye të politikës pa bërë ndonjë premtim të madh.
Kandidati tjetër dhe presidenti i deritashëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se humori i Zelenskiyt mund të jetë i mirë për argëtim, por do të ishte vetëvrasje për një vend që është në luftë. Poroshenko erdhi në pushtet në vitin 2014 dhe nga ai pritej që ta pastronte vendin nga oligarkia dhe korrupsioni.
Gjatë rundit të parë të zgjedhjeve, të zhvilluar më 31 mars, humoristi Volodymyr Zelenskiy e kishte zënë bindshëm vendin e parë me 30.24 për qind të votave, ndërsa Poroshenko kishte marrë vetëm 15.95 për qind, shkruan “The Guardian”.