Zgjedhjet parlamentare, 15 lista garojnë në zgjedhjet e 12 prillit

Deri në mesnatën e së enjtes, kur edhe ka skaduar afati ligjor, në KShZ janë dorëzuar listat e kandidatëve të 15 koalicioneve dhe partive politike.

Marketing

Shumica prej tyre kanë dorëzuar lista të kandidatëve për të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore, derisa disa edhe për votimin në diasporë.

“Dorëzuan gjithsej 15 lista të kandidatëve nga parashtrues të ndryshëm. Në afat prej 24 orësh, KShZ-ja u drejtohet institucioneve relevante për verifikim të kandidatëve, gjegjësisht për kontroll të të njëjtëve, MPB-së dhe gjykatave sipas vendbanimit të vetë kandidatëve që të marrë informata rreth tyre, ndërsa këto institucione gjithashtu kanë afat 24 orë që t’i përgjigjen kërkesës së KShZ-së nga momenti i pranimit të së njëjtës, mandej KShZ-ja do të vendos në lidhje me këto kërkesa.”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.

Ndërkohë, KShZ po kontrollon fletëkërkesat për të votuar të shtetasve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit dhe më pas do të marrë vendim nëse është plotësuar kushti ligjor për organizimin e zgjedhjeve në diasporë.

“Do të shqyrtohen të gjitha këto fletëparaqitje duke filluar prej mënyrës se si janë paraqitur, a i kanë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret për paraqitje të parapara në Kodin Zgjedhor, a i kanë të gjitha dokumentet e nevojshme për të verifikuar qëndrimin e tyre jashtë vendit apo normës së Kodit Zgjedhor dhe pastaj do të merret vendim adekuat varësisht prej fletëparaqitjeve që do të jenë të pranuara nga KShZ-ja.”,- u shpreh Admir Shabani nga KShZ.

Lista të kandidatëve kanë dorëzuar Koalicioni “Mundemi”, i udhëhequr nga LSDM, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE “Ripërtëritja e Maqedonisë”, BDI, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, PDSH, koalicioni “Asnjëherë veriore, gjithmonë Maqedoni”, “Partia YTE”, Partia Popullore e Romëve, INTEGRA, “E Majta”, Unioni Socialdemokrat, Demokratët, Moro, UDQ dhe “Zëri për Maqedoninë”.

Pas shqyrtimit të listave pason shorti për numrat në lista. Fushata zgjedhore fillon më 23 mars dhe përfundon më 10 prill.

Marketing