Demokracia konsensuale është koncepti politik të cilin Partia Demokratike Shqiptare zotohet se do të aplikojë në qeverinë e rradhës në qoftë se shpallen fitues dhe janë pjesë e qeverisë. Kreu i kësaj partie në Tetovë së bashku me ekipin e tij prezentuan programin, i cili parashikon pozitën e zv.kryeministrit në mënyrë që përfundimisht, siç thonë nga PDSH, t’i jepet fund diskriminimit të shqiptarëve në baza etnike.
“Ne insistojmë që patjetër në Maqedoni të aplikohet demokracia konsensuale. Fillimisht pozita ime si zv.kryeministër do të jetë garantues i vetos shqiptare në përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të tyre dhe në ndarjen e drejtë dhe proporcionale të buxhetit, ndërsa fundi i mandatit ishalla na gjen në një parlament dy dhomësh ku dhoma e nacionaliteteve apo e kombeve, apo senati i ri që do të krijohet në Maqedoni, mekanizmin e votës do ta ketë konsensus të përgjithshëm.”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Thaçi u zotua se nëse parita e tij merr pushtetin, për 30 ditë do të përmirësoj gjendjen e krizës të shkaktuar nga virusi COVID 19. Ai ditën e parë të fushatës e filloi duke vizituar varrin e ish-kryetarit të PDSh-së Arbër Xhaferi.