Zgjedhjet parlamentare, misioni i OSBE-ODIHR-it, më 19 qershor në Shkup

Më 19 qershor do të arrijë në vend ekipi vëzhgues prej 7 ekspertësh i OSBE/ODIHR-it, i cili do jetë i gatshëm për punë prej 22 qershorit, deklaroi për MIA-n, zëdhënësja e OSBE/ODIHR-it, Katja Andrush.
“Misioni do të vlerësojë me kujdes shkallën në të cilën mbahen zgjedhjet,  në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe në përputhje me legjislacionin kombëtar”, tha Andrush.
Para shpërthimit të pandemisë Kovid-19, Zyra e OSBE-ODIHR-it,  paralajmëroi 250 vëzhgues afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve, si dhe përfaqësues nga Asamblea Parlamentare e OSBE-së dhe Këshilli i Europës, si dhe vëzhguesit e vetë afatgjatë. Por ata u detyruan  të pezullojnë  këtë mision për shkak të kufizimeve të udhëtimit dhe për shkak të shqetësimeve shëndetësore, që u shfaqën si rezultat i virusit korona.
“Shëndeti i kolegëve tanë është gjithmonë prioritet. Shqetësimet për sigurinë, si dhe kufizimet e zgjatura në udhëtimet ndërkombëtare dhe kufizimet e hyrjes në vendet ku mbahen zgjedhje, paraqesin sfida për të gjitha aktivitetet tona të lidhura me zgjedhjet dhe, mbi të gjitha, për krijimin e vëzhguesve afatgjatë dhe afatshkurtër të dërguar drejtpërdrejtë nga vendet anëtare të OSBE-së”, thekson Andrush për MIA-n, duke potencuar se si gjithmonë, vëzhguesit e OSBE-së, që vijnë me ftesë të qeverisë së RVM-së, do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet në vend për gjithë kohëzgjatjen e procesit zgjedhor.
Të dielën Misioni kumtoi se kishte shpallur konkurs për të punësuar ekspertë nga fusha të ndryshme për të monitoruar procesin e zgjedhjeve. Konkursi përfundoi këtë të martë dhe në të kërkohet shef i Misionit në Maqedoninë e Veriut dhe zëvendësi i tij, analist politik dhe zgjedhor, si dhe një analist për regjistrimin e votuesve, këshilltar ligjor dhe mediatik. Misioni do të zgjasë tre javë dhe do të monitorojë të gjithë procesin zgjedhor nga kryeqyteti.
Marketing