Puna e komisionit të përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore për momentin është në pauzë. Takimi i fundit ka qenë në nëntor 2019. Arsyeja e pauzimit janë zgjedhjet në vendin tonë pohon profesori Dragan Gjorgjiev që udhëheq ekipin e Maqedonisë në punën e komisionit.
“Arsyeja ishte për shkak se konsiderojmë se puna e komisionit që punon me çështje shumë të ndjeshme, që i tangojnë të dy shoqëritë dhe popujt, mund të keqpërdoret në periudhë parazgjedhore në Maqedoni”, deklaroi deklaroi Dragan Gjorgjiev, kryetar i pales maqedonase.
Takimi i radhës parashihet të organizohet sapo të përfundojnë zgjedhjet e 12 prillit.
Ditë më parë TV21 mësoi që Presidenti Stevo Pendarovski duke folur para në Këshillin e Ambasadorëve ka përmendur edhe Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë. Duke folur për komisionin maqedono-bullgar, mësohet që Presidenti ka thënë se i njëjti nuk po jep efekte pozitive.
“Deklaratat e dala nga Kuvendi bullgar janë një plus që e vështirësojnë procesin. Periudha më kontestues historike janë shekujt XIX-XX. Është një listë me emra, organizata dhe ngjarje, nuk është vetëm çështja e Goce Dellçevit. Këtu ngec puna”, mësohet të ketë thënë kreu i shtetit Pendarovski.
Profesori Gjorgjiev e pranon se shekujt XIX-XX janë më të ndjeshmit në historiografinë e të dy palëve.
Por kush janë figurat e tjera që mund të kontestohen, përveç Goce Dellçevit?
“Në anën bullgare ka një plejadë të figurave për të cilën dëshirohet të diskutohet. Këtu do të përmendja rilindësit, Vëllezërit Milladinov, Grigor Përliçevin, Kuzman Shapkarevin, më pas nga revolucionarët janë Gjorçe Petrovi, Dame Gruev, Jane Sandanski e të tjerë”, theksoi Gjorgjiev.
TV21: Po thoni se të gjitha këto figura mund të kontestohen më tej…
-Ata do të jenë pjesë… duhet të jenë pjesë e punës së komisionit, megjithatë besoj se serish këtu do të vihet deri në mospajtime dhe interpretime të ndryshme të figurave dhe ngjarjeve siç është Kryengritja e Ilindenit sepse në dy historiografitë ka këndvështrim diametralisht të kundërt për këto ngjarje”.
Krejt këto mund të çojnë në debate të gjata. Historiani Gjorgjiev duke marrë shembullin e komisionit gjermano-polak tregon se i njëjti është formuar para Luftës së dytë Botërore e zgjat edhe në ditët e sotme.
TV21: Prisni që kaq të zgjasë edhe ky komision?
“Jo, jo, mendoj se ne disa punë mund t’i zgjidhim më shpejtë e megjithatë duhet vullnet i mirë nga të dyja palët”, tha Gjorgjiev.