Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, Dashtevski: Jemi gati për çdo variant

Komisioni Shtetëror Zgjedhor është i gatshëm që plotësisht t’i organizojë dhe mbajë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare vitin e ardhshëm, pavarësisht nëse ato do të organizoheshin së bashku apo të ndara, kështu ka deklaruar kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski, në një intervistë për Press 24.

Marketing

Por, sipas Dashtevskit, një vendim i tillë është në duart e partive politike, por sipas tij mbajtja e të dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë do të ishte më e thjeshtë.

“Bashkimi do të nënkuptonte edhe kursimin e 30 deri më 40 për qind të fondeve të parashikuara në buxhet. Për më tepër, rreth 40 mijë persona janë të përfshirë në procesin zgjedhor si anëtarë të Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe organeve tjera të përfshirë në procesin zgjedhor. Përvoja të tilla të organizimit të dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë kishim edhe në të kaluarën. Dhe nëse kemi pasur mundësi në atë kohë të realizojmë dy palë zgjedhje, përse mos të mundemi tani?”, – deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Dashtevski më tej ka shtuar se në vijim është duke u realizuar certifikimi i trajnuesve të zgjedhjeve, si dhe përgatitja më e mirë e IT sektorëve.

“Ne jemi në përgatitje të të gjithë sektorëve tanë në KShZ, që deri në shpalljen e zgjedhjeve ne të jemi të përgatitur maksimalisht. Nga zgjedhjet e fundit si metodë pozitive e kemi edhe përdorimin e finger-pritëve për regjistrimin elektronik të votuesve, por për të realizuar edhe votim elektronik, akoma jemi herët. Elektronikën çdo ditë e më shumë e kemi të pranishme në jetën tonë, por unë mendoj se shumë më efikase do të ishte kutitë elektronike të votimit, numërimi të bëhet në mënyrë elektronike, por për këtë duhet të kemi fletëvotim me bar-kod.”, – theksoi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Dashtevski po ashtu theksoi se para një jave në Ministrinë e Financave është rënë dakord që KShZ-së për vitin 2024 i nevojiten 1 000 000 000 denarë.

Sipas tij në vitin 2023 nuk kanë marrë asnjë miratim nga Ministria e Financave për punësim të kuadrit të ri, ku në disa sektorë sipas tij po ndjehet mungesa, sepse shumë ish të punësuar e kanë lëshuar KShZ-në qoftë për shkak pensionimit, qoftë për ndryshim të vendeve të punës me ndonjë sektor tjetër.