Stevo Pendarovski duket të jetë kandidati më i pëlqyer i elektoratit për President. Këtë e tregon anketa e LSDM-së e bërë në opinionin publik, e që për TV21 e konfirmuan burime të brendshme të partisë në pushtet. Por nëse opinioni publik ka favorit Pendarovskin, kështu nuk duket të jetë brenda LSDM-së. Siç bënë të ditur burimi ynë, brenda LSDM-së përkrahje më të madhe ka Oliver Spasovski, ministri aktual për punë të brendshme. Këto informacione që vinë brenda LSDM-së tashmë lënë të kuptohet se debati për çështjen e kandidatit tani më ka nisur. Por nga LSDM-ja hedhin poshtë këto informacione.
“Informata të ngjashme dhe të tilla janë në spekulime. Në LSDM ka filluar procedura. Kandidati që do të jetë fitues në zgjedhje do të zgjidhet në Kongresin e 3 marsit”, LSDM-ja.
Ndërkohë në VMRO-DPMNE vazhdon konkursi i kandidatëve për kryetar shteti. Më 16 shkurt, opozita do të mbaj kongres në Strugë, ku edhe zyrtarisht do të mësohet garuesi i VMRO-DPMNE-së për të parin e shtetit. Në parti deri më tani ka një kandidaturë, atë të Vlladimir Gjorçevit.
“Konkursin që e shpalli Këshilli ekzekutiv, dhe të cilin e konfirmoi më pas edhe kryesia, zgjat deri më 31 janar. Më pas vijon afat prej 4-5 ditë, që komisioni duhet të konfirmojë se ata që kanë dorëzuar kandidaturë i plotësojnë kushtet ligjore për të qenë kandidat për president të RM. Pasi që të konfirmohen, kandidaturat pranohen dhe shkojnë në konventë, ku secili prej kandidatëve që plotëson kushtet ligjore, do të kenë mundësi që të prezantohen para delegatëve. Konventa do të ketë 550 delegatë dhe do të mbahet më 15 shkurt, në Strugë”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Anketë të ngjashme realizoi edhe TV21. Më i votuar nga qytetarët doli Ziadin Sela me 11%, ndërsa tek maqedonasit Stevo Pendarovski me 10%. Sipas sondazhit shihet se edhe Imer Selmani, gëzon mbështetje. Ai me 8% është i dyti tek shqiptarët. Pastaj Ali Ahmeti me 6%, Talat Xhaferi me 4%, kurse tek maqedonasit Nikolla Gruevski me 7%, Zoran Zaev me 4%. Zgjedhjet presidenciale priten të shpallen nga ana e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, me 8 shkurt, dhe të mbahen me 21 prill të këtij viti.