Zgjerimi i BE, Veliaj: Tirana shembulli më i mirë në promovimin e të rinjve

Tirana bëri bashkë sot aktorët politikë shqiptarë e rajonalë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Europian si Raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ku kryefjalë ishte zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva europiane të vendit tone.

Marketing

Kryebashkiaku Veliaj theksoi rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po luajnë qytetet në procesin e integrimit. “Tani qytetet po luajnë një rol, në mos më shumë, të paktën po aq sa shtetet. Në Europë ka koalicione, rrjete qytetesh që bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe duhet pasur parasysh edhe në kuadër të integrimit të rajonit. Tirana ka arritur 1 milionë banore, 40% të PBB, pra duhet të kemi qytete që funksionojnë më së miri siç ndodh me Prishtinën, Shkupin dhe qytete të tjera në Europë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se Tirana, por edhe në gjithë Shqipërinë, po bëhet një punë e mirë në promovimin e të rinjve, duke i bërë ata pjesë të vendimmarrjeve të rëndësishme. “Kur u ktheva në 2003, dëgjoja politikanë që thoshin rinia është e ardhmja se ideja ishte që me ju do flasim më vonë, se s’ka ardhur koha juaj, por në fakt është një shaka kjo. Për qytetet, për qeverinë që e marrin rininë seriozisht, duhet të jenë krenarë. 2/3 këtu janë të rinjtë. Në PS, në listat tona, ne kemi për detyrë të kemi 50-50, burra-gra dhe 1/3 nga radhët e të rinjve, pra të rinj aktivistë nën 35. Duhet ta shtyjmë më tej këtë axhendë, më shpejt. E di që ka njerëz të emancipuar që nuk besojnë në kuota, por në fakt kuotat funksionojnë. Mund të jesh feminist, aktivist i të rinjve, por kuotat funksionojnë dhe shembulli i mirë që kemi në Tiranë dhe në Shqipëri kur vjen puna për të promovuar të rinjtë, është e rëndësishme. Ne jemi kryeqyteti më i ri në Europë, 33% dhe jemi zgjedhur Kryeqyteti Europian i Rinisë”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se rajoni është në një moment fantastik që të bëjë hapa të mëdha përpara, ndërsa njohu të pranishmit me ambicien e Tiranës për t’u mësuar të rinjve gjuhën e kodimit. “Më pëlqeu që Lufthansa vendosi zyrën e vet në Tiranë, një kompani amerikane do të vendoset këtu. Do të hapim Piramidën, që ka qenë mauzoleumi i diktatorit, kurse tani do të jetë shkolla më e madhe e teknologjisë së informacionit në rajon. Në Stokholm edhe një 6-vjeçar mësohet të këndojë, të bëjë veprime të shkencës së teknologjisë, nuk ka përse ne këtu në rajon të mos bëjmë këto hapa që nevojiten për të kapur këtë ritëm”, deklaroi Veliaj.

Teksa ftoi të pranishmit që të vizitojnë Tiranën, Veliaj u shpreh se transformimi i Pazarit të Ri dhe i Sheshit “Skënderbej”, janë prova më e mirë e ambicies dhe qëllimit tonë për t’u bërë një shoqëri evropiane. “Kur të dilni jashtë do të shihni një shesh që fitoi çmimin e parë në 2018-ën si “Hapësira publike më e mirë në Europë”. Kemi pazarin e vjetër, ripërtëritjen urbane që fitoi çmimin vitin që shkoi. Pra qytetet mund të jenë pika evropiane në këtë rajon dhe të tregosh që mund të modernizosh, mund të transformosh, mund të ndryshosh, është prova më e mirë e ambicies dhe qëllimit tonë për t’u bërë një shoqëri evropiane”, nënvizoi Veliaj.

Marketing