Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka prezantuar këtë të enjte planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 maj.
Gjatë një komunikimi live në “Facebook”, ministrja njoftoi se nga e hëna, në zonat e gjelbra do të përfshihen edhe 18 bashki, të cilat konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e epidemisë.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e ri-ihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese. Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë,Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, tha Manastirliu.
Ajo theksoi se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare të percaktuara për këto zona.