Një aeroplan i vogël komercial me të cilin menaxhon kompania private në Nepal, është zhdukur me 22 pasagjerë dhe anëtarët e ekuipazhit, kanë bërë të ditur mediat e atjeshme
Sipas informacioneve të para, aeroplani Tara Air 9 NAET me dy motorë, ishte ngritur në ajër nga qyteti turistik Pokhare, rreth 200 kilometra në veriperëndim të Katmandus – ku për destinacion kishte Jomsomin. Ai kishte humbur kontaktin me kullën rreth orës 9:55, transmeton Telegrafi.
“Aeroplani për herë të fundit është parë mbi Jomsom në rajonin Mustang, e më pas ishte nisur drejt maleve Dhaulaigir, ku pas këtij veprimi ka humbur kontaktet me kullën”, ka bërë të ditur Netra Prasad Sharma nga agjencia e aviacionit civil.
Në fluturake ishin katër persona nga India dhe tre nga Japonia, të tjerët ishin shtetas të Nepalit, raporton televizioni publik i këtij vendi.
Sipas zyrtarëve policorë, dyshohet se aeroplani është rrëzuar diku në Titi në rajonin e Mustang.
“Banorët e Titi kanë informuar autoritetet se kanë dëgjuar një zhurmë të pazakontë”, ka thënë për ANI, Ram Kumar Dani nga policia e Nepalit.