Zhegrova, Muriq e Muslija surprizuan SOS Fshatin e Fëmijëve – dhuruan 4 mijë euro

Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, kanë surprizuar fëmijët në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

Në njoftimin e SOS Fshatit ku janë publikuar disa fotografi me plot dashuri, thuhet se FFK-ja bashkë me lojtarët kanë dhuruar katër mijë euro për fëmijët.

“Ju kujtohet, Dreni, djaloshi ynë i talentuar në SOS Fshat që është i apasionuar pas futbollit dhe ëndërron të luajë për Barcelonën? Dje ai edhe shumë fëmijë të tjerë në SOS Fshat patën një mega surprizë, kur në dyert tona në SOS Fshat trokitën Edon Zhegrova, Aro Muric dhe Florent Muslija, të shoqëruar nga kryetari i Federata e Futbollit e Kosovës – Football Federation of Kosova, Agim Ademi . Fshati gumëzhinte nga zhurma e fëmijëve që vraponin për të përqafuar yjet e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për të biseduar me ta. Pyetjet nuk kishin të sosur! Por Dreni kishte një pyetje të veçantë për Edonin: ai donte të dinte me kë ëndërron Zhegrova të luajë, dhe Edoni iu përgjigj se ëndrra e tij është të luajë në një ekip me Messin. Përderisa gardiani i portës së Kosovës, Muric, u pyet nëse kishte menduar ndonjëherë të luajë basketboll. Dreni kishte sjellë më vetë edhe topin e tij të vjetër të futbollit, të cilin Zhegrova, Muric dhe Muslija e nënshkruan, që ta ketë si kujtim të kësaj dite. Dhe nuk mungoi as loja e futbollit, ku talenti i fëmijëve tanë i la të gjithë të habitur! Në fund, kryetari i FFK, Agim Ademi, njoftoi se FFK së bashku me Muslijën, Muric dhe Zhegrovën do të dhurojnë 4,000 euro për fëmijët tanë, një kontribut i jashtëzakonshëm për rritjen dhe mirëqenien e tyre. Një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin Ademi, si dhe Muricin, Muslijen dhe Zhegrovën për këtë ditë të paharrueshme! Këto momente do të mbeten përjetë në zemrat e fëmijëve tanë!”, kanë shkruar SOS Fshatrat e Kosovës në Facebook

Marketing