Udhëheqësia aktuale e BFI-së zotohet për transparence të plotë dhe bashkëpunim me mediat. Kreu i këtij institucioni, Shaqir Fetahu theksoi se ekipi i ri, angazhohet në ndërtimin e një institucioni të shëndoshë, të besueshëm e të suksesshëm. E për të treguar se nuk kanë asgjë për të fshehur nga opinion, ftoi gazetarët në selinë e BFI-së për t’i ëmbëlsuar me bakllava por kur filluan pyetjet, u arsyetua se i duhet edhe pak kohë për të kthyer të gjitha përgjigjet e premtoi se asgjë nuk do të mbahet e fshehtë.
“Ne kemi 10 ditë që e kemi marrë institucionin nën udhëheqjen tonë dhe tani po bëjmë analizat tona dhe mënyrën se si ta konsolidojmë si në aspektin financiar po ashtu edhe në aspektin administrativ. Ne nuk kemi çfarë të fshehim prej besimtarëve tanë, nga popullata jonë e në veçanti nga mjetet informative.”- tha Shaqir Fetahu, U.D. kryetar i BFI-së.
Arsyet e shkarkimit të Rexhepit, Fetahi: Po analizojmë të gjithë dokumentacionin
I pyetur për arsyet se përse Rijaseti shkarkoi Sulejman Rexhepin, Fetahu tha se për momentin po bëhen analizat e duhura dhe nuk dëshiron që të japë përgjigje para kohe.
“Ne jemi në fazën e analizave administrative, analizave financiare, analizave të organizimit të jetës fetare dhe momentalisht nuk jemi nga ata që mund të flasim pa argumente. Ne do të jemi opsion i argumentit, jo opsion i bisedave të rrugëve dhe opsion i bisedave shpifëse.”- tha Fetahu.
Fetahu nuk kishte ndonjë përgjigje konkrete edhe në lidhje me atë se kur do të mbahen zgjdhjet e reja në BFI, duke thënë se për zgjedhjet vendos Rijaseti.