Zhvillimet rreth dialogut, Varhelyi nesër në Kosovë

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, do ta vizitojë Kosovën më 25 maj dhe pritet të takohet me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.

Marketing

“Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Varhelyit.

Pritet që ai të zhvillojë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderët e opozitës ,si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Gjatë qëndrimit të tij në vend, komisioneri Varhelyi dhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

Ky program, i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë eurove, do të zbatohet në një periudhë trevjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.