Ish kryetari i Aleancës për Shqiptarët i cili figurën e tij politike e ngriti mbi kauzën për të rrëzuar nga pushteti Ali Ahmetin që qeverisë tashmë prej 20 vitesh, së fundi ka deklaruar se ndjehet i vogël karshi ideve të mëdha të kreut të BDI-së. Në TV21, Sela tha se ai ndjehet i vogël për t’i thënë jo një ideje të hedhur tashmë nga kreu i BDI-së, për bashkimin e bllokut politik shqiptar. Ish kreu i ASH-së thotë se një gjë të tillë nuk do të kundërshtonte nëse qëllimi i bashkimit do të ishte anëtarësimi i vendit në BE.
“Ziadin Sela është shumë i vogël për t’i thënë jo një ideje të tillë, nëse ka ide të madhe. Dhe ASH-ja nuk e besoj se do t’i thotë jo ndonjëherë kësaj ideje”, tha Ziadin Sela, Ish kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Por çfarë ka deklaruar Sela deri muaj më parë. Akuzat e tij politike ndaj Ahmetit shkuan deri në atë nivel sa Sela akuzoi Ahmetin për organizimin e atentatit ndaj tij më 27 prill të vitit 2017.
“Meqë unë qenkam monstrumi që duhet dënuar, atëherë marr të drejtën të konstatoj se edhe atentati më 27 prill, meqë Ali Ahmeti nuk ishte aty qenka përgatit prej tij. Sepse ky ishte atentati i dytë i radhës që më është bërë mua”, u shpreh Ziadin Sela, Ish kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Në vitin 2020, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare kur kishin filluar negociatat për Qeveri dhe flitej për mundësinë e kryeministri të parë shqiptar, Sela kishte deklaruar se Ali Ahmeti nuk është njeri i cili mund t’i besohet.
“A është për t’i besuar më Ali Ahmetit?! Jo, nuk është për t’i besuar. Sepse hyn me një rrugë bashkë me të dhe ai të lenë në mes të rrugës. Sepse ai të lenë vetëm kur ka ministrin e punëve të Brendshme të përballësh me turmë huliganësh. Sepse ai struket diku dhe ndoshta, nuk e di, ka llogarit se do të ketë një kundërshtar politik më 27 prill. Sepse ai këtu thirret në shqiptari, por është shqiptar sezonal, unë ua kam thënë. Nuk e kishte problem në zgjedhje lokale të bëhej bashkë edhe me dreqin vetëm që ta mbaj pushtetin. Pushteti është qëllimi kryesor i Ahmetit, asgjë hiç tjetër”, deklaroi Ziadin Sela, Ish kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Akuzat e Selës ndaj Ahmetit nuk kishin munguar as për Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Ligjin për shtetësi, ndërsa kur Ahmeti kishte ftuar tryezën e partive politike shqiptare Sela dhe subjekti i tij nuk e kishte përfillur. Sela ashpërsinë e tij politike kundër Ahmetit përveç në debatit televizive dhe paraqitjet publike, nuk e kishte kursyer as në foltoren e Kuvendit. Kritika kishte drejtuar edhe kundër partive politike të cilat ishin futur në Qeveri bashkë me BDI-në, duke i akuzuar se po i shërbejnë BDI-së. /Alsat.mk