Zjarret në një kamp në Greqi lënë afro 13,000 njerëz pa strehë

Zjarret shkatërruan kampin më të madh të migrantëve në Greqi – një objekt i mbipopulluar në ishullin Lesbos – duke lënë afro 13,000 njerëz pa strehë.

Marketing

Rreth 40 zjarrfikës luftuan me flakët në kampin Moria, i cili ishte i paraparë për më pak se 3,000 njerëz.

Ministri për Migrim i Greqisë, Notis Mitarachi, tha se zjarret “filluan nga azilkërkuesit”, por nuk dha më shumë detaje.

Policia i bllokoi rrugët nga kampi, për të penguar hyrjen e migrantëve në qytetet pranë.

Shumë prej tyre bënë përpjekje të depërtonin në qytetin port Mytilene, por hyrja u bllokua.

Sipas disa njoftimeve, shumë migrantë kanë fjetur nëpër fusha, pas zjarreve që shpërthyen të mërkurën herët.

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, tha se ka rënë dakord për financimin e strehimit të 400 adoleshentëve dhe fëmijëve të pashoqëruar në Greqi.

Nuk është e qartë se si saktësisht kanë nisur zjarret, por ministri Mitarachi tha se “incidentet në Moria kanë nisur nga azilkërkuesit, për shkak të karantinës”.

Rreth 35 vetë që kanë dalë pozitivë me koronavirus raportohet se kanë refuzuar të futen në izolim me familjet e tyre.

Megjithatë, Mitarach nuk tha se zjarret ishin një akt i qëllimshëm.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se prioritet kryesor tani është “siguria e atyre që mbetën pa strehë”.