Vetëm pak ditë pas katastrofës së zjarrit që gjunjëzoi Athinën, duke lënë të vdekur mbi 90 persona, ka ardhur edhe padia e parë ndaj shtetit grek.
Të afërmit e një burri dhe një gruaje, që mbetën të vdekur nga zjarret në Athinë, kanë paditur autoritetet shtetërore, zjarrfikësit dhe policinë mbi vdekjet e tyre.
“Unë besoj se ata janë përgjegjës për mbrojtjen e popullit, zjarrvënien dhe marrjen e masave për të parandaluar atë, ndaj duhen dënuar”, tha avokati i atyre që kanë bërë denoncimin.
Në tekstin e padisë theksohet se autoritetet janë përgjegjës për akuza penale si vrasje pa paramendim, lëndime trupore, ekspozim që çoi në vdekje dhe zjarrvënie në atë që ata e quajnë një “katastrofë biblike”.
Aktualisht një prokuror po heton shkakun e zjarrit dhe rolin e autoriteteve në reagimin ndaj zjarrit që vrau të paktën 91 vetë në qytetin bregdetar të Matit dhe në zonat aty pranë.
Ndërkohë, qeveria e Tsipras është përballur me një lumë kritikash nga ana e opozitës, që ka akuzuar se veprimet e autoriteteve ndaj zjarrit, kanë qenë jo të duhurat.