Zoran Zekiç largohet nga Partizani

Zoran Zekiç është trajneri i radhës që largohet nga skuadrat e kryeqytetit. Pas Orges Shehit nga Tirana, ishte radha e teknikut kroat për lamtumirë, por ky i fundit ka ndërprerë me konsensus kontratën e firmosur me Partizanin.

Marketing

Mbërritja e një oferte të kënaqshme financiare nga Superliga kroate e ka detyruar që të kërkojë largimin dhe të nis aventurë të re në vendlindje. Ecuria pozitive në Kupat e Europës dhe në kampionat nuk ka mjaftuar për 49-vjeçarin, i cili tashmë është bindur për tu larguar, pasi ka një ofertë nga Osijeku, skuadra e qytetit të tij.

Në 14 ndeshje, Partizani i Zekiç ka grumbulluar 7 fitore mes kampionatit dhe kualifikueseve të Kupave të Europës, 4 barazime dhe 3 humbje. Largimi i Zekiç vjen pas fitores 4-3 ndaj Kukësit në javën e gjashtë, me Partizanin që tashmë gjendet në mesin e renditjes me 11 pikë.

Të kuqtë kanë nisur të mendojnë edhe për pasuesin, teksa nuk përjashtohet ulja në stol e Orges Shehit. Pezullimi për një kohë të pacaktuar nga Tirana, por ende nën kontratë me ta mund ta shtyjë teknikun për të kryer tradhëtinë dhe firmosur me skuadrën tjetër të kryeqytetit.

Marketing