Ballina Lajme Botë Zuckerberg: Administrata e Presidentit Biden bëri trysni për censurimin e disa informacioneve...

Zuckerberg: Administrata e Presidentit Biden bëri trysni për censurimin e disa informacioneve mbi COVID 19

Mark Zuckerberg, Shefi Ekzekutiv i kompanisë Meta që përfshin edhe platformën Facebook, i tha një komisioni të Kongresit amerikan se zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Joe Biden ushtruan trysni ndaj kompanisë që të censuronte disa informacione lidhur me COVID-19 gjatë pandemisë dhe se kompania mori atëherë vendime që nuk do t’i merrte sot.

Marketing

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi një letër të zotit Zuckerberg të hënën, ku ai shkruante se mes materialeve të censuruara ishin copëza humori dhe satire dhe se zyrtarët e administratës “shprehën pakënaqësi të madhe me ekipet tona kur ne nuk ramë dakord”.

“Unë besoj se trysnia e qeverisë ishte e gabuar dhe jam penduar që nuk ishim më të hapur,” tha Zuckerberg.

I pyetur për një reagim ndaj komenteve, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se “e përballur me një pandemi vdekjeprurëse, kjo administratë inkurajoi veprime të përgjegjshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike”.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe konsistent: ne besojmë se kompanitë e teknologjisë dhe aktorët e tjerë privatë duhet të marrin parasysh efektet që kanë veprimet e tyre tek publiku amerikan, kur marrin vendime të pavarura në lidhje me informacionin që publikojnë”, shtoi zëdhënësi.

Zuckerberg foli gjithashtu për një nismë prej 400 milionë dollarësh ndërmarrë përmes fondacionit të tij bamirës përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, e cila sipas tij synonte të garantonte që komunitetet në zonat urbane, të periferive dhe ato rurale të kishin burimet e duhura që njerëzit të mund të votonin të sigurt gjatë një pandemie globale.

“Pavarësisht analizave që kam parë që tregojnë të kundërtën, unë e di se disa njerëz besojnë se kjo nismë favorizoi njërën parti mbi partinë tjetër. Synimi im është të jem neutral dhe të mos ndikoj në asnjë lloj mënyre, madje të shmang edhe perceptimin se po luaj ndonjë rol, kështu që nuk kam në plan të jap një kontribut të ngjashëm në këtë cikël zgjedhor”, tha Zuckerberg.

Letra vjen vetëm më shumë se dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit në SHBA./VOA

Marketing
Exit mobile version