Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Sadulla Duraki, sot realizoi takim me Ambasadorin e Shqipërisë në shtetin tonë, z. Fatos Reka.
Fillimisht ambasadori Reka siç thuhet përgëzoi Zëvendëskryeministrin për detyrën e re në Ministrinë e sapoformuar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, duke theksuar se udhëheqja e tij në këtë institucion do t’i japë impuls më të vrullshëm avancimit të pikave që dalin nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit.
“Njëherit, mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ingerencë e ministrisë së re, do të ndihmojë në përforcimin e shtyllave të kohezionit social dhe integrimit të shtetit në strukturat euro-atlantike”, theksuan ata.
Në aspektin e implementimit të plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në shtet, zëvendëskryeministri Duraki theksoi se ndihma e Shqipërisë në aspektet gjuhësore është e domosdoshme për unifikimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Së fundmi, ambasadori Reka dhe zëvendëskryeministri Duraki potencuan se bashkëpunimi institucional dhe vëllazëror mes vendeve, si shtete aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është thelbësor për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.