Qëndrimi i Bullgarisë ndaj Maqedonisë është shumë i qartë – të përmbushë detyrimet e dakorduara dhe të pranuara në korrik të vitit 2022 tha zëvendëskryeministrja bullgare dhe shefja e diplomacisë Maria Gabriel.
Në përgjigjen e një pyetjeje parlamentare në Kuvend, Gabriel tha se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë shumë qartë pozicionin, gjuhën, kulturën dhe identitetin e saj. Ne duam t’i tregojmë shumë qartë Republikës së Maqedonisë së Veriut se vetëm kur të përmbushin detyrimet që vetë janë pajtuar t’i përmbushin, atëherë integrimi evropian nuk do të jetë më ëndërr – shtoi Gabriel.
Lidhur me rezolutën në Senatin Amerikan, që shtatori të shpallet muaji i trashëgimisë maqedono-amerikane në SHBA, ajo tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Në rezolutë thuhet se amerikanët me prejardhje maqedone kontribuojnë në kulturën amerikane përmes “biznesit, sportit, artit, politikës, mjekësisë, drejtësisë, kulturës, dhe shumë fushave të tjera”.