Zv.ministrja e financave, Dr. Shiret Elezi nga sot (e hënë 27 maj) pritet të qëndrojë për vizitë dy ditore në Paris – Francë. Elezi do merr pjesë në konferencën e 7-të me radhë të organizuar nga OECD – Qendra për politika tatimore dhe administratë.
Në këtë konferencë pritet të diskutohet mbi ndihmën administrative sa i përket tatimeve, ndryshimet me protokollin e vitit 2010 që Republika e Maqedonisë së Veriut e ka nënshkruar gjatë vitit 2018 për bashkëpunim tatimor me vendet nënshkruese me qëllim luftën kundër evazionit fiskal dhe mos pagesës së tatimit.
Ndërkohë që zv.ministrja Elezi pritet të elaborojë të gjitha ndryshimet ligjore dhe masat që Republika e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë dhe po aplikon kundër këtyre dukurive që kanë të bëjnë me mos pagesën e tatimit, evazionin fiskal, financimin kundër terrorizmit si dhe të gjitha aktivitetet ekonomike dhe financiare që ndërmerren nga institucionet shtetërore në këtë drejtim.
Hapjen e konferencës do e bëj z. Angel Gurria, sekretar gjeneral i OECD kurse të pranishëm në konferencë do jenë edhe Bruno Le Maire ministër i financave të Francës, Anila Denaj ministre e financave e Shqipërisë, Elton Haxhi zv.ministër i financave i Shqipërisë, Hans Christian Holte kreu i FTA si dhe shumë përfaqësues nga organizatat e ndryshme financiare të botës përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtarë, etj.