Zv/presidenti amerikan telefonon Zaevin dhe Ciprasin

Zëvendëspresidenti amerikan, Majk Pens personalisht i uroi kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë për nënshkrimin e marrëveshjes për emrin. Bisedat telefonike me Zoran Zaevin dhe Aleksis Cipras janë realizuar mbrëmë dhe sipas kumtesave zyrtare, Pens të dyve ua ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit. Në hollësitë e bisedës që i publikoi Qeveria thuhet se Uashingtoni është i gatshëm të ndihmojë në të gjitha proceset që do vijojnë në vend.

Marketing

Qeveria

“Pens gjithashtu deklaroi se SHBA-të shprehin interes të jenë të përfshirë dhe t’i mbështesin të gjitha proceset progresive që vijojnë në periudhën e ardhshme në Maqedoni, sidomos zbatimin e reformave si dhe zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin”.

Ndërsa hapi i madh i radhës është mbajtja e referendumit të suksesshëm. Qeveria e paralajmëron atë për në fund të shtatorit ose fillimin e tetorit, por lideri i opozitës në intervistën e mbrëmshme në TV Telma vendosi kushte për mbajtjen e referendumit. Hristijan Mickovski tha se ka skaduar afati për emërimin e anëtarëve të ri të KSHZ-së, pa të cilët nuk mund të ketë referendum. Që VMRO-DPMNE të pajtohet për shtyrjen e afatit për emërimin e anëtarëve të KSHZ-së, partia kërkon miratimin e dy ligjeve.

“Realiteti është kështu; Nuk mundet KSHZ-ja të shihet jashtë gjithë kësaj pasi në muajin mars ishte pjesë e negociatave mes opozitës dhe pushtetit. Siç dini, në atë kohë VMRO u kthye në Kuvend, votoi për ligjet reformuese dhe më pas vijoi procesi kur duhej të mbështeten dy ligje tjera, ligji për financimin e partive politike dhe ligjin për Qeverinë, ku në vetë ligjin duhet të rregullohet ekzistimi i Qeverisë teknike, e gjithë ajo të përshkruhet, si do funksionojë deri kur etj, dhe siç shihni kjo nuk ndodhë…Normalisht se punoni në jetë, njejtë edhe në politike, patjetër të ketë një orar. Kur të merreni vesh për diçka, kjo duhet të respektohet”, u shpreh Hristijan Mickovski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Për pozitat e këtilla të Mickovskit për momentin nuk ka reagime direkte nga pushteti. Por liderët e dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit dërguan porosi për VMRO-DPMNE-në. Kryeministri Zaev në intervistë për televizionin shtetëror grek ERT, tha se pret që rezultati i referendumit të kuptohet si obligim nga të gjithë faktorët politik.

“Për mua është shumë me rëndësi që debati i brendshëm në Maqedoni që po zhvillohet ku edhe opozita njëkohësisht është për integrime në BE dhe NATO, ndërsa është kundër marrëveshjes dhe kjo në një farë mënyre është zgjidhje e paqëndrueshme. Referendumi te ne do na bëjë që të gjithë politikanët t’i dëgjojmë qytetarët. Pra, edhe pushteti, edhe opozita, por edhe presidenti Ivanov”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, dje në intervistë për televizionin Kanal 5 dërgoi porosi të njëjta edhe për opozitën edhe për presidentin Ivanov. Ai bëri thirrje për qasje pozitive duke pas parasysh të ardhmen e vendit.

“Thashë se në rajon ka grupacione që nuk ia duan të mirën Maqedonisë dhe ato grupacione mund të jenë në shërbim të politikave dhe realizimin e qëllimeve të tyre strategjike. Por, filozofia, koncepti, koncepti jonë nuk përputhet as me konceptin e Kremlinit, as me konceptin e Teheranit e as me Ankaranë dhe me ndonjë shtet tjetër. Konceptet dhe filozofia jonë janë koncepte për Evropë të Bashkuar”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Argumentimet e Zaevit dhe Ahmetit për momentin është e qartë se nuk kalojnë te presidenti Ivanov i cili mohoi të ketë ndonjë skenarë në të cilin ai do jepte mbështetjen e tij.

“Presidenti i Maqedonisë nuk pranon marrëveshje që është në dëm të identitetit kombëtarë të maqedonasve dhe në dëm të interesave të Maqedonisë. qëndrimi i presidentit Ivanov është i pandryshueshëm dhe atë nuk do e luhatin presionet, shantazhimet dhe kërcënimet”, deklaroi Gjorge Ivanov President i shtetit.

Alsat-M

Marketing